Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vance tërhiqet nga pretendimi i Trumpit për 5.000 dollarë për secilin amerikan

JD Vance

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidenti JD Vance duket se është tërhequr pjesërisht nga pretendimet e bujshme të presidentit, Donald Trump, se çdo qytetar i rritur në SHBA do të merrte 5 mijë dollarë nëse republikanët ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit.

“Nëse republikanët fitojnë, ju fitoni bashkë me ne dhe merrni 5 mijë dollarë”, u ka thënë Trumpi një turme entuziaste gjatë një fjalimi prej gati dy orësh në konventën republikane për zgjedhjet e mesmandatit në Dallas, ku ai u bëri gjithashtu thirrje votuesve të “shtiren sikur jam në fletën e votimit”.

Por Vance, duke folur pas presidentit, ka lënë të kuptohej se të ashtuquajturat pagesa si dividend nuk do t’u jepeshin të pasurve, dhe se ato mund të financoheshin nga të ardhurat e SHBA-së nga tarifat doganore, megjithëse shuma e propozuar është shumë më e madhe se të ardhurat që SHBA-ja ka mbledhur përmes këtyre masave proteksioniste.

Kongresi do të duhej ta miratonte pagesën ose, të paktën, të mos e kundërshtonte atë. Shuma do të ishte shumë më e madhe se të ardhurat e SHBA-së nga tarifat doganore, edhe para se Gjykata Supreme të rrëzonte një pjesë të madhe të programit tarifor të presidentit vitin e kaluar.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka publikuar detaje lidhur me njoftimin e Trumpit.

I rrethuar nga mbështetës që valëvitnin pankarta me flamurin amerikan, Trump ka pretenduar pa paraqitur prova, se mandati i tij i dytë kishte qenë “dyvjeçari më i suksesshëm, financiarisht dhe në çdo aspekt tjetër, në historinë e presidencës”, por një pjesë të madhe të fjalimit ia kushtoi frikësimit të votuesve për atë që do të ndodhte nëse demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve ose Senatin gjatë dy vjetëve të fundit të presidencës së tij.

Presidenti dhe republikanët po rrezikojnë duke organizuar një konventë për zgjedhjet e mesmandatit, të parën që ka zhvilluar ndonjëherë Partia Republikane, me shpresën se kjo do t’i japë shtysë partisë, e cila parashikohet të humbasë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Megjithatë, niveli i lartë i mosmbështetjes që Trumpi ka mes amerikanëve, mbështetja për të cilin është rreth 38%, ka bërë bërë që shumë kandidatë republikanë që garojnë në zona elektorale të forta ta shmangnin plotësisht këtë aktivitet dyditor.