Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është mbledhur të enjten për të diskutuar lidhur me draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është hartuar nga zyrtarët evropianë.
Në njoftimin e lëshuar nga kjo parti, thuhet se ekzistojnë shqetësime për përmbajtjen e këtij draft-statuti.
Teksa është bërë e ditur se ka pasur kritika veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244 e raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror, AAK-ja ka njoftuar se vërejtjet do të publikohen gjatë ditëve në vijim.
“Kryesia e AAK-së sot ka zhvilluar një diskutim me tone shumë kritike për draft-statutin e Asociacionit. Janë shprehur shqetësimet për përmbajtjen e tij, veçanërisht për referimin në Rezolutën 1244, komisionin e arbitrazhit, si dhe raportin paralel të Asociacionit me institucionet e pushtetit qendror. Komentet e AAK-së me vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.