Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita e shqetësuar për draftstatutin e Asociacionit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë identifikuar njësoj dy çështje që i kanë kualifikuar shqetësuese e që lidhen me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ata kanë theksuar se nga preambula e draftstatutit duhet hequr si referencë Rezoluta 1244, e krahas kësaj, edhe dispozita që parasheh adresimin në Arbitrazh, në rastet kur ka konteste të pazgjidhura mes Asociacionit dhe autoriteteve qendrore

Përfaqësues të dy prej partive kryesore opozitare kanë shprehur të shtunën shqetësimin, në lidhje me përmbajtjen e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Vërejtjet më të mëdha janë dhënë për dy çështje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se draftstatuti ka shumë probleme dhe se shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me Rezolutën 1244 që është listuar si referencë në preambulë, e edhe përcaktimi që mosmarrëveshjet mes Asociacionit dhe autoriteteve qendrore, të zgjidhen në komision arbitrazhi.

Megjithatë, Haziri ka theksuar se Gjykata Kushtetuese e cila do ta trajtojë dokumentin para se të hyjë në fuqi, duhet të japë verdiktin e fundit për përputhshmërinë me Kushtetutën.

“Natyrisht se kemi nxjerrë shqetësimet tona, prej preambulës në dokument ku barazohen palët në referim. Rezoluta 1244 në Kosovë është një dokument i fjetur dhe vetëm për një arsye ekziston për shkak të prezencës së KFOR-it në Kosovë. Tash është rikthyer, përkundër një marrëveshje ndërkombëtare për referim dhe emërim... Ky është shqetësimi i parë dhe ndoshta kryesori”, ka thënë Haziri. “Çështja tjetër që ne e shohim me shumë shqetësim është arbitrazhi. Arbitrazhi që do të shqyrtojë të gjitha kërkesat dhe do të merret me interpretim dhe anashkalon sistemin juridik, institucionin e gjyqësorit në Kosovë, të gjitha shkallët e saj dhe natyrisht titullarin që është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si ministri e linjës që përfshinë edhe qeverinë”.

Haziri që ka qenë më parë zëvendëskryeministër e edhe ministër i Pushtetit Lokal, ka thënë se draftstatuti ka edhe probleme të tjera. Sipas tij, pasoja më e vogël që buron nga ky dokument, është krijimi i nivelit të tretë të pushtetit dhe ndarja e brendshme e Kosovës.

“Kjo është më së paku që mund të ndodhë”, ka shprehur drojën Haziri.

Shqetësime për dokumentin ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Ish-kryeministri ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse dokumenti është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Edhe Në LDK kërkojnë që nënkryetari i partisë t’ia zërë vendin kryetarit Arbëri 2 d. më parë Në LDK kërkojnë që nënkryetari i partisë t’ia zërë vendin kryetarit

“Ne kemi disa shqetësime lidhur me statusin e asociacionit ashtu siç është prezantuar asociacioni. Përpos preambulës që thirret me rezolutën 1244 dhe komisionit të arbitrazhit që del nga sistemi i drejtësisë. Kemi edhe shqetësime të tjera. Të gjitha këto shqetësime do t’i adresojmë, shpresojë edhe në kuadër të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese për shkak se partitë politike kualifikohen si palë e kur dokumenti të jetë në shqyrtim në gjykatë, ne do të shkojmë t’i paraqesim këto shqetësime tona”, ka thënë Haradinaj për KosovaPressin. “Pas takimit me Lajçakun jam deklaruar se kemi shqetësime në dokument dhe do t’i shqyrtojmë këto shqetësime dhe besoj që dokumenti i tillë është shqetësues për Kosovën dhe nëse në të njëjtën kohë nuk vjen njohja për anëtarësim në NATO, Kosova mund të hyjë në një periudhë të rrezikshme me implementimin e draftit të tillë”.

Haradinaj tani është kritik, ndonëse ndryshe nga përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, ai i pati dhënë mbështetje Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit, e njëkohësisht në parim ishte pajtuar edhe me përmbajtjen e draftstatutit të Asociacionit.

Zyra e lehtësuesit evropian të dialogut Kosovë-Serbi ka përcjellë draftstatutin edhe te partitë opozitare, por ajo ende nuk është publikuar zyrtarisht.