Arbëri

Opozita kundër draftstatutit të Asociacionit

Lumir Abdixhiku

Kritikë për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka shprehur të shtunën kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku. Ai tha se dokumenti e mundëson një autonomi të zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit. E njohës të çështjeve politike bënë thirrje që Qeveria të mos pranojë përmbajtje që del jashtë kushtetutshmërisë së Kosovës

Qeveria nuk e ka siguruar mbështetjen e opozitës për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abidxhiku, e ka kritikuar përmbajtjen e draftit, i cili një javë më parë iu prezantua subjekteve politike opozitare nga zyra e emisarit Miroslav Lajçak.

Në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se dokumenti e ngërthen një autonomi të zgjeruar territoriale përbrenda Kosovës, me tendencë drejt federalizmit.

Ai theksoi se për LDK-në nuk është i pranueshëm asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese dhe që është jashtë rregullimit territorial të Kosovës.

“Nis me preambulën, me rezolutën 1244, si paralele e deklaratës së shpalljes së pavarësisë e përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Se si institucionet e Kosovës pranojnë një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e shpalljes së pavarësisë me Rezolutën 1244 në një akt normativ të brendshëm dhe se si e pranojnë që Asociacioni si trup autonomie të mbahej jo brenda Gjykatës Kushtetuese, por në sistem arbitrazhi, kjo për ne mbetet e pakuptimta”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur mospajtim me përmbajtjen e draftit.

E, një ditë më parë, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha për Zërin e Amerikës se kërkesa e Perëndimit për ngritjen e Asociacionit nuk mund të përmbushet po qe se bashkësia ndërkombëtare nuk i bën trysni Serbisë për njohjen e Kosovës.

KOHA i adresoi pyetje Zyrës së kryeministrit nëse mban qëndrim të njëjtë me kryeparlamentarin lidhur me kushtëzimin, porse nuk ka marrë përgjigje.

E njohësja e çështjeve politike, Arta Tahiri-Beqa, shprehu mendimin se Qeveria duhet të jetë në një linjë me kërkesën e kryeparlamentarit që në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të dyja palët në dialog të japin kontributin e njëjtë.

“Mendoj që është jashtëzakonisht e drejtë të kërkojë një normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të kërkojë nga Serbia pikërisht atë që nuk është duke e bërë, të bëjë hapa konkretë që tregon seriozitetin e saj sa i përket dialogut. Krijimi i këtij Asociacioni duhet të bëhet duke qenë në ligjshmërinë e Kushtetutshmërisë së Kosovës dhe asnjëherë duke i cenuar integritetin dhe juridiksionin e Kosovës”, ka thënë Tahiri-Beqa.

Krahas opozitës dhe njohësve, edhe presidentja Vjosa Osmani pati thënë më herët se draftstatuti i Asociacionit përmban çështje me dykuptimësi, për të cilat e shprehu domosdonë që të adresohen para se dokumenti të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.