Arbëri

Osmani e Kurti takohen me Peach, flasin për dialogun dhe sigurinë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në takime të ndara kanë pritur të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach

Përmes një komunikate për media, Osmani me Peach ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO.

Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Osmani ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Ndërkaq Kurti me Peach, kanë biseduar mbi raportet bilaterale, zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë.

Nga njoftimi i Kryeministrisë për media bëhet e ditur se në takim është përmendur edhe dislokimi përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.

“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftim.

Kurti ka falënderuar Peach për bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

Ai theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.

Me Peach është takuar edhe zëvendëskryeministri i, Besnik Bislimi.

Të dy njoftohet se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe situatën në rajon.

“Ai e informoi emisarin Peach rreth procesit të dialogut si dhe rolit aktiv e konstruktiv të Republikës së Kosovës. Vendi ynë në vazhdimësi ka dëshmuar angazhimin e përkushtimin e saj jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve e njohje me Serbinë, por edhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve të rajonit, si katalizator për paqe e harmoni, zhvillim e progres”, thuhet në njoftim.

Image