Arbëri

400 mijë euro për punët që kryhen me më së shumti 5 mijë euro

Për t’i vendosur makineritë në terren dhe për ta adaptuar një kontejner si zyrë terreni, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ia ka paguar 400 mijë euro kompanisë “FAMIS” në projektin për ndërtimin e infrastrukturës në Zonën Industriale në Suharekë. Dërgimi i makinerive në terren dhe përgatitja e vendpunishtes, siç i ka hulumtuar KOHA, ka koston që nuk e kalon vlerën e 5 mijë eurove. Kompania “FAMIS” ndonëse u është përgjigjur pyetjeve, nuk ka sqaruar saktë se pse u ka kushtuar kaq shtrenjtë faza parapërgatitore. Tenderi është nënshkruar nga ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala

Afro 2.4 milionë euro i ka dhënë shteti për rregullimin e infrastrukturës në Zonën Industriale në Suharekë. Ndonëse projekti nga ana e kompanisë konsiderohet i përfunduar, veprime të dyshimta kanë ndodhur gjatë arsyetimit të kostos.

Tenderi është fituar nga kompania “Famis” me seli në Suharekë. Sipas drejtuesve të kompanisë gjithçka ka shkuar sipas ligjit.

Por nga hulumtimi i KOHËS del që në tenderin që është nënshkruar nga ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, janë përfshirë çmime që ngrenë dyshime për abuzime të mëdha financiare. Çmimi i njërit prej pozicioneve që rëndom është simbolik ka kapur vlerën e qindra mijëra eurove.

Në dokumentet e tenderit del se “mobilizimi i kompanisë me makineri për realizimin e punëve në terren dhe sjellja e kontejnerit me qëllim të adaptimit të kontejnerit si zyrë e terrenit për të gjithë projektin industrial” u ka kushtuar taksapaguesve fiks 400 mijë euro.

Në një bisedë telefonike Bekim Bytyqi, përfaqësues i kësaj kompanie, çmimin prej 400 mijë eurosh vetëm për dërgimin e makinerive dhe krijimin e punishtes e ka konsideruar krejt normale.

“Ajo është politikë e biznesit tonë, a po e dinë? Politikat e biznesit tonë janë tonat, a po e dinë?”, ka thënë Bekim Bytyqi nga “Famisi”.

KOHA ka insistuar të marrë përgjigje nga Bytyqi se sa është çmimi real i një punishteje. Ai ka dhënë indikacione se çmimet që i vendosin në oferta për tenderë nuk janë reale.

“S’di sa kushton? Ti a këqyr naj pozicion që kushton një euro, a po kupton?”, ka thënë ai, duke lënë të hapur mundësinë që për pozicione të tjera mund të kenë shkuar po ashtu çmime jonormalisht të ulëta.

Bytyqi me pas është arsyetuar se nuk e dinë çmimin real të përgatitjes së një punishteje.

“Unë nuk e njoh këtë profesion hiç. Këtu inxhinierët i kanë qitë çmimet. Inxhinierët konstatojnë çka me qitë në pozicione. Nuk është çështje e imja që merrna me këtë punë unë. Pse m’u ke drejtu, se unë më i vogli jam në këtë pikë”, ka thënë ai.

KOHA ka kërkuar nga kompanitë që kanë përvojë të ngjashme të tregojnë se sa rëndom i kalkulojnë në ofertat e tyre shpenzimet për fazën parapërgatitore në terren dhe për punishte. Sipas tyre, kostoja është ndërmjet 2 mijë e 4 mijë eurosh, por assesi 400 mijë euro.

Ashtu si thonë ata, argumentohet edhe nga kontratat në projektet e tjera milionëshe të infrastrukturës.

Në tenderin që kap vlerën rreth 4 milionë euro e që ka të bëjë me zgjerimin e rrugës nacionale segmenti Dollc-Gjakovë, për punë paraprake në terren janë faturuar diçka mbi 4 mijë euro.

“Incizimet dhe punët paraprake në terren: Vendosja e shenjave të përkohshme vertikale për kontroll të trafikut gjatë kryerjes së punimeve dhe sigurimi i komunikacionit gjatë punimeve në zgjerimet e rrugës; Shënimi i trasesë, si dhe përcjellja e punimeve gjeodezike gjatë ekzekutimit; Vendosja dhe sigurimi i pikave të reja poligonale për përcjellje të punëve gjeodezike në terren - çmimi 4359 euro”, thuhet në këtë kontratë.

Në tenderin infrastrukturor që kap vlerën mbi 1 milion euro për ndërtimin e rrugës për Brezovicë janë paguar 1 mijë euro për punishten.

“Pastrimi i hapësirës dhe përgatitja e punishtes 1000 euro”, thuhet te pjesa e çmimeve në këtë kontratë.

Edhe vetë kompania “Famis” në të paktën një rast nuk ka përfshirë fare koston e punëve përgatitore.

Një kontratë e tillë ishte nënshkruar mes kësaj kompanie dhe Ministrisë së Infrastrukturës, në vitin 2018, dhe kapte vlerën e rreth 3 milionë eurove. Aty s’është e përfshirë fare sjellja e makinerive në punishte si kosto e veçantë.

Ligji i Prokurimit Publik u jep rëndësi të veçantë çmimeve për secilin pozicion.

“Vetëm kriteret e matshme dhe të cilat paraprakisht janë përcaktuar në dosjen e tenderit mund të shfrytëzohen për vlerësim. Autoriteti kontraktues mund të përdorë vetëm kritere që janë relevante në mënyrë direkte me lëndën e kontratës. Kritere të tilla mund të jenë në lidhje me p.sh. cilësinë, çmimin, meritat teknike, estetike dhe karakteristikat funksionale, karakteristikat e mjedisit, shpenzimet rrjedhëse, efektiviteti i kostos, shërbimet e passhitjes dhe asistenca teknike”, thuhet në këtë ligj.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Tregtisë, por ajo ende nuk është përgjigjur.

Kompania “Famis” ka qenë fituese e tenderit për mirëmbajtjen e urave. Në gushtin e vitit 2017, në njoftimin për hapjen e tenderit, vlera totale e parashikuar ishte 500 mijë euro, kontrata është nënshkruar për vlerën 432 mijë euro, ndërsa kompanisë i janë paguar 5 milionë e 375 mijë euro.

Proceduralisht një praktikë e tillë është e pazakontë.

Pas raportimit të KOHËS Ministria e Infrastrukturës këtë rast e ka denoncuar në Prokurorinë Speciale.