Arbëri

4 organizata joqeveritare i kërkojnë Qeverisë të hapë të dhënat e Fondit të Sigurisë

Organizatat joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja “FOL” dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) kanë ftuar Ministrinë e Financave dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion që të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë.

Këto organizata vlerësojnë se klasifikimi i informacioneve lidhur me Fondin e Sigurisë si “konfidenciale” tashmë është shfuqizuar dhe se informatat lidhur me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar duhet të jenë publike.

“Klasifikimi i këtij dokumenti ishte bërë, duke bazuar në Ligjin tashmë të shfuqizuar për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë Nr. 08/L-175. Nënvizimi se ‘hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t'i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte. Interpretimi kaq i gjerë i cenimit të ‘sigurisë rajonale dhe më gjerë’ përmes informatave në lidhje me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar, është qartazi i pabazuar”, thuhet në kërkesën e tyre.

Për më tepër, thuhet se një deklarim i tillë, është edhe paradoksal “meqenëse të gjitha ligjet për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu, është paradoksale që buxheti bazë i Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i publikuar në detaje derisa shumë e një fondi vullnetar të jetë konfidenciale”.

Këto OJQ vlerësojnë se klasifikimi i informatave lidhur me Fondin e Sigurisë është në kundërshtim me ligjin dhe standardet e mira ndërkombëtare dhe se mbyllja hermetike e të dhënave për Fondin e Sigurisë është dëshmi e fortë e mungesës së transparencës së qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mes tjerash, kanë ftuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi që brenda mandatit që ka, ta mbrojë ligjshmërinë dhe të drejtën e qytetarëve për qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke dëshmuar përmes këtij rasti pavarësinë institucionale dhe politike.

“Nëse Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk nxjerr një vendim meritor për këtë rast, OJQ- të e poshtë shënuara do të shqyrtojnë mundësinë e inicimit të procedurave gjyqësore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për tu informuar” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Përmes vendimit të ish-drejtorit të Thesarit, Ahmet Ismajli, janë klasifikuar si “konfidenciale” të gjitha informatat në lidhje me Fondin e Sigurisë teksa në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “Mjetet që mblidhen në Fondin e Sigurisë janë donacione te dedikuara, që do të pranohen nga brenda dhe jashtë vendit nga individë dhe organizata, ku përveç tjerash tregohet gatishmëria dhe mobilizimi financiar mbarëkombëtar, faktin se këto mjete janë ekskluzivisht të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, dhe të njëjtat në procesin e shpenzimit janë të klasifikuara nga Ministria e Mbrojtjes si Organizatë Buxhetore, dhe bazuar në situatën aktuale të sigurisë, konstatohet se hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t'i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

Në anën tjetër, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka konfirmuar se e ka pranuar kërkesën për të siguruar qasje në informata për shumën e mjeteve financiare të mbledhura në Fondin e Sigurisë. Kjo agjenci ka thënë se është në komunikim me institucionin përgjegjës për trajtimin e kërkesës së adresuar. Agjencia ka deklaruar se s’ka kompetencë të bëjë deklasifikimin e informatave, por ka shtuar se mund ta bëjë inicimin e procedurës.

“Bazuar në kompetencat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, Agjencia nuk ka kompetencë të bëjë de-klasifikimin e informatave të klasifikuara nga institucionet publike, por mund të bëjë vetëm inicimin e procedurës për de-klasifikim, ashtu siç është përcaktuar me nenin 28 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, i cili shprehimisht parasheh se ‘Agjencia është gjithashtu kompetent që të inicioj procedurën për de klasifikimin e dokumenteve të klasifikuara’, Agjencia për Informim dhe Privatësi mbetet e përkushtuar për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në Institucionet e Kosovës, përkatësisht realizimin e së drejtës për qasje në informacion dhe mbrojten e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.