LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet të publikohet shuma e grumbulluar në Fondin e Sigurisë

Në mars bëhen dy vjet që nga koha kur Qeveria ka hapur Fondin e Sigurisë dhe ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë në të për ushtrinë. Por, që nga ajo kohë janë mbajtur fshehtë informacionet në lidhje me shumën. Pas kërkesës së KOHËS për qasje në informata, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka iniciuar deklasifikimin e të dhënave që lidhen me fondin.

Ministrisë së Financave i është kërkuar që ta bëjë publike shumën e mjeteve që qytetarët kanë dhuruar për Fondin e Sigurisë.

Vitin e shkuar Ministria e Financave refuzoi qasjen e KOHËS në informatat për shumën e grumbulluar në të, nën arsyetimin se kjo përbën informatë të klasifikuar.

E pas ankesës së KOHËS në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ky institucion bëri të ditur se ka iniciuar procesin e deklasifikimit të informatave të fondit.

“Duke qenë se Agjencia për Informim dhe Privatësi ka të drejtë të iniciojë deklasifikimin e dokumenteve, por jo të deklasifikojë informacionin, Agjencia është duke e trajtuar këtë çështje, për të cilën e ka mbajtur të njoftuar në vazhdimësi edhe palën kërkuese lidhur me trajtimin e kësaj kërkese”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.

Por, as pas kësaj nisme, prej një jave nuk kanë dhënë informacione në Ministrinë e Financave.

Kjo qasje është kritikuar nga shoqëria civile.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se mospublikimi i informatave në lidhje me Fondin e Sigurisë është shkelje e Kushtetutës dhe e ligjeve.

“Çdo fshehje apo mospublikim i këtyre informatave se sa mjete janë mbledhur dhe se kur janë shpenzuar ato e shkel në radhë të parë Kushtetutën, por edhe ligjet e aplikueshme që i ofrojnë qasje publikut në informacion që janë në interes të publikut. Sigurisht që kjo pastaj ngrit dyshime edhe në publik, qoftë për keqpërdorime, keqadministrimit apo edhe format e tjera të keqpërdorimit të cilat në njëfarë mënyre mund të ndodhin nëse mbahet fshehtë nga publiku”, ka deklaruar Miftaraj.

Organizata që drejton Miftaraj, së bashku edhe me tri të tjera, i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave që të hapë të dhënat e Fondit, ndërsa Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të veprojë në këtë drejtim.

“Mbyllja hermetike e të dhënave për Fondin e Sigurisë është dëshmi e fortë e mungesës së transparencës së qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne ftojmë Agjencinë për Informim dhe Privatësi që brenda mandatit që ka, ta mbrojë ligjshmërinë dhe të drejtën e qytetarëve për qasje në të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke dëshmuar përmes këtij rasti pavarësinë institucionale dhe politik”, thuhet në kërkesën e organizatave FOL, IKD, INPO dhe YIHR-KS.

Llogaria e Fondit të Sigurisë është aktive që nga 2 marsi i vitit 2022, derisa thirrje qytetarëve për të kontribuar në të ka bërë edhe Qeveria e Kosovës.