Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se nuk ka arsye tjetër të besohet që Qeveria nuk po i tregon të dhënat e Fondit të Sigurisë, përveç sepse ka mbledhur një shumë të papërfillshme.
Të premten, organizatat joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja “FOL” dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) kanë ftuar Ministrinë e Financave dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion që të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë.
“S’kemi diçka të saktë, por informatat thonë se është mbledhur një shumë e papërfillshme dhe për këtë, Lëvizja Vetëvendosje mendon se do të turpërohet se ndoshta populli nuk ju ka përgjigjur mjaftueshëm thirrjes së Albin Kurtit apo çka po di tjetër. Nuk ka arsye tjetër të besohet. Nuk mund të ndërtohet një arsye tjetër e vetme pse ndodh kjo”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Qeveria ka këmbëngulur se këto të dhëna nuk duhen të bëhen publike pasi “cenojnë sigurinë e shtetit”.
Por Shala ka thënë se kjo nuk qëndron. Ai ka argumentuar se Qeveria e bën publik buxhetin për ushtrinë çdo vit. Sipas tij, arsyetimi i Qeverisë është kontradiktor.
Edhe
4 organizata joqeveritare i kërkojnë Qeverisë të hapë të dhënat e Fondit të Sigurisë
“Nëse thuhet se hapja e një fondi vullnetar e cenon sigurinë e shtetit, atëherë si me ligjin për ndarjet buxhetore e tregon se sa është buxheti për ushtrinë. Pra tregon në detaje buxhetin shtetëror për ushtrinë. Kjo është paradoksale”, ka thënë ai.
Vendimi i Thesarit që të dhënat e Fondit të Sigurisë të mbahen konfidenciale, sipas Shalës, është i kundërligjshëm, absurd dhe kontradiktor.
“Vendimi që të dhënat e Fondit të Sigurisë për t’u shpallur konfidenciale, është i kundërligjshëm, absurd dhe kontradiktor sepse nuk kemi të bëjmë me cenim të sigurisë shtetërore. Ky vendim është bazuar në ligjin e shfuqizuar të klasifikimit të informacionit. Ka një arsyetim vetëm të përgjithshëm pse duhet të jenë konfidenciale dhe jo të bazuara në kriteret strike të bazuara në ligj. Ky është cenim i së drejtës për informim të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Shala.
Shala ka deklaruar se kjo tregon për një mostransaprencë serioze nga kjo Qeveri, “e cila ka ardhur në pushtet për transparencë radikale”.
“Transparenca është baza e një qeverisje të mirë”, ka theksuar ai.
Edhe
Kërkohet të publikohet shuma e grumbulluar në Fondin e Sigurisë
Shala ka paralajmëruar se do t’i shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore që këto të dhëna të hapen për publikun.