Në hapje të seancës, trupi gjykues i Gjykatës Speciale në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i është përgjigjur vërejtjeve të mbrojtësit të Kadri Veselit, avokatit Ben Emmerson. Ky i fundit bëri vërejte të hënën lidhur me mundësinë e inkriminimit të dëshmitarit Sadik Halitjaha që përmendet në aktakuzë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se në bazë të shkresave të gjykatës figuron se dëshmitari Halitjaha është njoftuar mjaftueshëm nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me të drejtat e tij.
“Sa i takon çështjes që ngrihet nga mbrojtja e z. Veseli për vetëinkriminimin potencial të dëshmitarit 04765, trupi gjykues dëshiron që të sqarojë si në vijim: Trupi gjykues rikujton që gjatë intervistës me ZPS-në, ZPS-ja në seancën përgatitore të saj e ka njoftuar dëshmitarin se ai konsiderohej si i dyshuar. Gjatë intervistave dhe gjatë seancave përgatitore ai gjithashtu ishte i informuar për të drejtat e të dyshuarit dhe në veçanti për të drejtat e tij për të pasur një avokat të pranishëm ndërkohë që jep dëshmi. Kjo pasqyrohet në transkriptat e intervistës dhe në shënimin përgatitor. Trupi gjykues konsideron se ZPS-ja ka vepruar në përputhje me procedurën që parashihet, me rregulloren dhe me urdhrin për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe për këtë arsye nuk ka arsye të mëtejshme që të trajtohet kjo çështje më tej nga prokuroria”, kë thënë Smith.
Lidhur me vërejtjet e Emmersonit, Smith u përgjigj se trupi gjykues ia mbron të drejtat atyre që dëshmojnë në gjykatë dhe se detyrë e mbrojtësve është thjesht t’i mbrojnë të drejtat e klientëve të tyre.
“Së pari avokatët mbrojtës janë kompetentë për të përfaqësuar interesat e klientëve të tyre dhe askush tjetër në këto çështje gjyqësore. Përgjegjësia për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e dëshmitarëve është përgjegjësi e këtij trupi gjykues dhe jo e avokatëve mbrojtës. Në qoftë se një palë dëshiron të ngrejë një çështje që ka të bëjë me të drejtat ose statusin e viktimave duhet që të jepet njoftim paraprak në mënyrën dhe në kohën e duhur dhe me shkrim për palën kundërshtuese dhe për trupin gjykues sa i takon synimit për të ngritur një çështje të tillë dhe duhet që po ashtu të jepen hollësi të përshtatshme për çështjen për të cilën dëshirojnë palët që të ngrenë shqetësimin e tyre”, ka thënë Smith.
Të hënën, avokati Emmerson përmendi pikën 155 të aktakuzës ku përmendet Halitjaha. Dëshmitari përmendet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për vrasjet e Latife dhe Rrushe Kolollit. Në këtë pjesë, thuhet se rreth 17 gushtit 1998, ato u ndaluan dhe u morën në pyetje në Budakovë për rreth tri orë me urdhër të Halitjahajt. Më pas, sipas aktakuzës, trupat e tyre u gjetën në Semetisht më 23 gusht.
Trupi gjykues i dha urdhër me gojë edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që t’ia dorëzojë deri më 14 dhjetor 2023 listën e dëshmitarëve që synon t’i thërrasë për dëshmi për janar-mars 2024. Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëshmia e Sadik Halitjahës, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut.