Arbëri

Sveçla publikon pamjet e Radojiçiqit në Banjskë

Descriptive Text

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën ka thënë se shihet Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka thënë se Radojiçiqi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve. Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, ka thënë ai.

Shpalljen e ditëve të zisë nga Serbia dhe Lista Serbe për sulmuesit serbë të vrarë nga aksioni i Policisë së Kosovës, Sveçla e ka cilësuar vulosje të autorësisë së organizimit.

Të hënën në mbrëmje, një portal në Bosnje ka raportuar se Radojiçiqi është plagosur gjatë këtij aksioni. Në pamje, Radojiçiqi shihet duke ecur me vështirësi në mesin e disa pjesëtarëve të grupit që kreu sulmin terrorist.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Të hënën në mbrëmje janë publikuar pamjet nga droni, në të cilën shihen lëvizjet e sulmuesve serbë brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës. (VIDEO)

Në përkrahje të sulmuesve të vrarë, edhe Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Serbia nuk ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës.