Arbëri

Lajçaku e Bislimi pajtohen për hapat e parë për shtensionimin e situatës në veri

 

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se në takimin me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, përveç dakordimit për hapat e parë që qojnë në depërshkallëzimin e situatës në veri, kanë diskutuar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Edhe Bislimi ka konfirmuar afrimin e qëndrimeve me BE-në, por nuk ka treguar se çfarë përmbajnë hapat e parë të shtensionimit

Dakordim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit kanë arritur emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Përmes një postimi në Twitterit, Lajçak ka thënë se me Bislimin janë takuar të hënën në Bratislavë dhe përveç këtij dakordimi, kanë diskutuar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut.

“Diskutime intensive dypalëshe zhvilluam sot në Bratislavë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve anëtare të BE-së të publikuar më 3 qershor, dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, ka shkruar ai.