Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se në takimin me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, përveç dakordimit për hapat e parë që qojnë në depërshkallëzimin e situatës në veri, kanë diskutuar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Edhe Bislimi ka konfirmuar afrimin e qëndrimeve me BE-në, por nuk ka treguar se çfarë përmbajnë hapat e parë të shtensionimit
Dakordim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit kanë arritur emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Përmes një postimi në Twitterit, Lajçak ka thënë se me Bislimin janë takuar të hënën në Bratislavë dhe përveç këtij dakordimi, kanë diskutuar edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut.
“Diskutime intensive dypalëshe zhvilluam sot në Bratislavë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve anëtare të BE-së të publikuar më 3 qershor, dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, ka shkruar ai.
Edhe Bislimi është deklaruar rreth këtij takimi, për të cilin tha se u diskutua për hapat e ardhshëm në lidhur me zbatimin e plotë të Marrëveshjes themelore dhe Aneksit të saj.
“U takova me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, për të diskutuar hapat e ardhshëm për zbatimin e plotë dhe të drejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Ramë dakord për hapat e nevojshëm për të siguruar uljen e përshkallëzimit efektiv dhe të përcaktuar me ligj, fokusimin në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptar të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit hynë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, kundërshtuan vënien në zbatim të rezultatit të zgjedhjeve të organizuara në këto komuna. Nëpërmjet protestave, që në ditët e para ishin të dhunshme e me pasoja për pjesëtarët e policisë, të KFOR-it e të mediave, ata prodhuan krizën e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, ndaj së cilës pati reagime të shumta nga institucionet ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar. Kosovës i është kërkuar që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative; Serbisë i është kërkuar të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës; dhe të dyja shteteve u është kërkuar shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë. Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.
Kryetarët e rinj në komunat veriore u zgjodhën më 23 prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe.