Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.
Njoftohet se për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se MINT-i ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal në mënyrë që sipas tyre, e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor “dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi”.
Edhe
Gjykata Komerciale hedh poshtë pretendimin e MINT-it ndaj Klan Kosovës
KOHA ka dërguar pyetje në adresën e Klan Kosovës dhe deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Klan Kosova përmes një reagimi publikuar në portalin e tyre ka thënë se “ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”
Reagimi i plotë:
Klan Kosova shpreh shqetësimin lidhur me njoftimin e orëve të pasdites të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se e njëjta ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj KLAN KOSOVA SHPK, si dhe se është marrë vendim për atë që e kanë quajtur “pezullim të certifikatës së biznesit”.
Klan Kosova është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.
Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.
Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë.
Edhe
Gjykata Komerciale shtyn vendimin e MINT-it për pezullimin e certifikatës së Klan Kosovës
Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.
Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes.