Arbëri

Pas procesit jotransparent, Kuvendi pritet ta kompletojë Bordin e KPM-së

Pas një procesi të përcjellë në vazhdimësi me mostransparencë e mbyllje për publikun, Kuvendi i Kosovës pritet që të mërkurën të votojë për kompletimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Kjo pikë është bartur nga seancat e shkuara, pasi nuk kishte dalë në votim fare në mungesë të kuorumit.

Seanca pritet të nisë në orën 13:00.

Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, pati shprehur shqetësim se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka tendencë për politizimin e këtij institucioni.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mos lejojë një gjë të tillë.

“Jam shumë i shqetësuar të dëgjoj që partia qeverisëse në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, është gati të zgjedhë persona të cilët publikisht e përkrahin partinë e tyre. I bëj thirrje Albin Kurtit që të mos lejojë që të politizohet KPM-ja”, pati thënë ai para seancës së 3 majit.

Kandidatët për anëtarë të KPM-së, që kanë marrë më së shumti pikë në Komisionin Parlamentar për Media janë: Luljeta Aliu Krasniqi, Granit Musliu, Xhevat Latifi, Violeta Hyseni Kelmendi, Veton Kasapolli dhe Jeta Abazi Gashi. Komisioni Parlamentar pati mbajtur të mbyllur procesin e poentimit.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka mbetur në mungesë të tre anëtarëve që nga tetori i vitit të kaluar. Si shkak i moskompletimit të Bordit, në KPM janë mbledhur disa lëndë që nuk kanë mundësi të shqyrtohen.

Me përbërjen aktuale Bordi e ka të pamundur të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarin, që pamundëson mbajtjen e mbledhjeve normale në të cilat, mes të tjerash, do të merreshin vendime edhe për licencime të reja të mediave.

KPM-ja aktualisht ka vetëm katër anëtarë, nga shtatë sa duhet të jenë gjithsej.