Arbëri

Ngrihen shqetësime për politizimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së

Përzgjedhja e tre anëtarëve të KPM-së nuk arriti as të vihet në votim, ani se shqyrtimi i kësaj pike i kishte ardhur seancës që nga 23 marsi. Por sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, është shprehur i shqetësuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka tendencë për politizimin e këtij institucioni

Kuvendi i Kosovës as të mërkurën nuk ka arritur ta kompletojë Bordin e Komisionit të Pavarur të Mediave.

Përzgjedhja e tre anëtarëve të KPM-së nuk arriti as të vihet në votim, ani se shqyrtimi i kësaj pike i kishte ardhur seancës që nga 23 marsi.

Por sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, është shprehur i shqetësuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka tendencë për politizimin e këtij institucioni.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mos lejojë një gjë të tillë.

“Jam shumë i shqetësuar të dëgjoj që partia qeverisëse në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, është gati të zgjedhë persona të cilët publikisht e përkrahin partinë e tyre. I bëj thirrje Albin Kurtit që të mos lejojë që të politizohet KPM-ja”, ka thënë ai.

Kandidatët për anëtarë të KPM-së, që kanë marrë më së shumti pikë në Komisionin Parlamentar për Media janë: Luljeta Aliu Krasniqi, Granit Musliu, Xhevat Latifi, Violeta Hyseni Kelmendi, Veton Kasapolli dhe Jeta Abazi Gashi.

KOHA e ka pyetur shefen e deputetëve të partisë në pushtet, Mimoza Kusari Lila, lidhur me akuzat e Gutierrez, por ajo nuk ka dashur të komentojë, duke thënë se nuk mund të paragjykojë se për kë e ka pasur fjalën Gutierrez.

“Nuk mund të komentoj asnjë deklaratë para se të ndodhë votimi dhe përzgjedhja në Kuvend. Janë gjashtë kandidatë të propozuar për tri pozita në Bordin e KPM-së dhe tani unë nuk mund të paragjykoj se për kë flitet dhe kush do të zgjidhet në këto pozita. Pas votimit mund të flas”, është shprehur Kusari Lila.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka mbetur në mungesë të tre anëtarëve që nga tetori i vitit të kaluar. Si shkak i moskompletimit të Bordit, në KPM janë mbledhur disa lëndë që nuk kanë mundësi të shqyrtohen.

Me përbërjen aktuale Bordi e ka të pamundur të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarin, që pamundëson mbajtjen e mbledhjeve normale në të cilat, mes të tjerash, do të merreshin vendime edhe për licencime të reja të mediave.

KPM-ja aktualisht ka vetëm katër anëtarë, nga shtatë sa duhet të jenë gjithsej.