Arbëri

Kosova humane e Serbia e ashpër ndaj të dyshuarve për vepra kundër rendit kushtetues

Institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe ato në Serbi nuk janë duke aplikuar standarde të njëjta, në rastet e veprave penale kundër rendit kushtetues. Themelorja në Prishtinë ka shtyrë vendimin për ta mbajtur dënimin me burgim Ivan Todosijeviq, nën arsyen se ai është i sëmurë, ani se ai vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryetarit në Komunën paralele të Zveçanit. Ndërkaq nga 10 prilli Beogradi i mban të paraburgosur katër serbë të veriut, pa pasur aktakuzë që i ngarkon me aktivitet kundër rendit kushtetues të Serbisë

Standarde krejt të ndryshme po përdoren në Kosovë e në Serbi për ato që konsiderohen në secilën prej tyre si veprime kundër rendit kushtetues. Gjykata Themelore në Prishtinë ka treguar se e ka shtyrë për dy muaj ekzekutimin e vendimit ndaj Ivan Todosijeviqit (nga 3 prilli në 3 qershor), i dënuar në Kosovë me një vit burgim për nxitje të urrejtjes e të përçarjes ndëretnike. Sipas Themelores, ekzekutimi është shtyrë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore të Todosijeviqit.
“Lidhur me lutjen për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, i dënuari ka bashkëngjitur si provë dokumentet mjekësore në emër të tij. Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani - Rama, me rastin e vendosjes sipas kërkesës së të dënuarit I.T. për shtyrjen e ekzekutimit të sanksionit penal – dënimit me burg, pas shqyrtimit të kërkesës ka konstatuar se kërkesa është e bazuar, ashtu që ekzekutimi shtyhet për 2 (dy) muaj”, ka shkruar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës në përgjigjen e saj.

Por ai vazhdon ta ushtrojë detyrën e kryetarit në Komunën paralele të Zveçanit. Avokati i tij, Nebojsha Vlaiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS përkitazi me funksionin në komunën paralele që Todosjeviq është duke e ushtruar, duke qenë i sëmurë. E as Gjykata nuk tregoi nëse ka informacione për aktivitetin e tij politik, i cili ushtrohet pas shtyrjes së ekzekutimit të dënimit. Në uebfaqen e këtij institucioni ilegal janë publikuar fotografi që mbajnë datën 7 maj, në të cilat Todosijeviq shihet në një meshë në Kishën Sveti Gjorgje. Sidoqoftë, sipas raportimeve të mediave serbe të Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 8 maj. Burimet e KOHËS kanë thënë se Todosijeviqi ndodhet në Kosovë dhe se javën e kaluar ka frekuentuar kafenetë e Zveçanit duke i kremtuar festat si ajo e Shën Gjergjit me pije alkoolike.

Trupi gjykues i kryesuar e dënoi atë për deklarimet e tij urrejtëse në një tubim publik në Zveçan, ku kishte përdorur gjuhë urrejtëse e raciste (terroristët šiptar), kishte akuzuar shqiptarët se i kanë kryer shumicën e krimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe e kishte quajtur Masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 shqiptarë, “trillim”.

Ndërkaq në Serbi katër serbëve të veriut iu është zgjatur paraburgimi nën dyshimin e kryerjes së veprave penale kundër rendit kushtetues të Serbisë, përfshirë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Siç ka treguar mbrojtësi i një prej të paraburgosurve, Ivan Niniq, klienti i tij, Dragan Nikoliqi, është bashkëshort i Ivana Nikoliqit, që është pjesëtare e Partisë së Serbëve të Kosovës.

“Unë kam fituar bindjen nga dokumentet të cilat Prokuroria i ka mbledhur se bëhet fjalë për një rast të motivuar politikisht. Bashkëshortja e Draganit ka marrë vendimin për të qenë në listën e Aleksandar Jablanoviqit për zgjedhjet e fundit lokale në Leposaviq. Ajo këtë kandidaturë e ka tërhequr, pasi Jablanoviq nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, por ishte tepër vonë”, ka thënë Niniq.

Nikoliq është në paraburgim nga 10 prilli e avokati i tij thotë se po mbahet pa prova, në një proces politik, e me fjalë goje të njerëzve që janë të lidhur me Listën Serbe, subjekt politik që mban lidhje të forta me Beogradin.
“Ajo që është problem më i madh është fakti se dëshmitarët që po paraqiten për këtë proces janë njerëz që janë të lidhur direkt me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin, njerëz që marrin rroga nga komunat në veri. Do të thotë se të gjithë ata janë të varur nga mjetet që marrin nga Serbia”, është shprehur Niniq.

Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e katër serbëve, nën dyshimin për vepra penale kundër rendit kushtetues, sipas avokatit Niniq, është mesazh i Beogradit dhe Milan Radoiçiqit se çka mund t’u ndodhë serbëve të veriut nëse ata nuk e pranojnë politikën e Listës Serbe. KOHA gjatë ditës ka qenë në kontakt edhe me sekretarin e Partisë së Serbëve të Kosovës, Andrija Ignjatoviq, por nuk ka marrë përgjigje.