2 perditesime
17:25

Gërvalla në OKB: Serbia s’do marrëveshje me Kosovën, po e rrit varësinë ndaj Rusisë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Serbia po e rrit varësinë ndaj Rusisë dhe ky shtet sipas saj, nuk konsiderohet demokratik për shkak të veprimeve.

Ajo deklaroi të enjten se Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën, por vetëm çrregullime të çfarëdoshme.

“Serbia s’do marrëveshje, ajo do të çrregullojë çfarëdolloj marrëveshje. Serbia në 2023-n s’dëshiron të inkuadrohet në BE, i do miliardat e BE-së, por s’do anëtarësim...Vuçiqi e Daçiqi duan rend të dirigjuar nga Moska, por kjo s’do të mund dhe s’do të bëhet pasi NATO-ja s’ka për të lejuar një rend për një vend ku lufta dhe invazioni janë mënyra të politikës”, tha ajo.

Sipas Gërvallës, shteti serb po e rrit varësinë ndaj Rusisë, e kjo siç tha ministrja, u dëshmua me marrëveshjen e nënshkruar me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, për forcimin e politikave të jashtme.

“Kosova thekson se kurrë më s’do të jetë e pambrojtur dhe viktimë e një gjenocidi dhe kurrë më s’do të ketë gjenocide. Kurrë më s’do të qëndrojmë të pambrojtur pa aleatët tonë. Jemi të aftë të mbrojmë shtetin tonë. Kosova ka përforcuar rrugëtimin e saj lidhur me integrimin evropian. Kosova është shembull se çka mund të bëjë një shtet kur pastron korrupsionin dhe avancon sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse Kosova paraqet provokim për regjimin e Beogradit. Kosova ka dëshmuar se mund të kesh fillim të ri në vend të dorëheqjes, e kjo është kërcënim për Beogradin”, tha ministrja Gërvalla.

Ajo shtoi se Kosova në dy vjetët e fundit ka shënuar rritje të investimeve nga shtetet e jashtme.

“Kompanitë ndërkombëtare po hulumtojnë për investime prandaj kemi arsye të jemi optimistë. Nga e tërë bota, mesazhi dhe ftesa e presidentes është marrë me seriozitet për të investuar dhe eksploruar mundësitë e investimit në Kosovë”, shtoi ajo.


Kosova lavdërohet në OKB për zgjedhjet në veri, i kërkohet themelimi i Asociacionit

Përfaqësuesit e Francës, Britanisë së Madhe të Japonisë, përkrahën Kosovën dhe Serbinë për vazhdimin e dialogut deri në arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme.

Zyrtarja e Francës deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB se palët duhet të përmbahen nga gjuha e ashpër dhe të punojnë për çështjen e targave dhe të energjisë elektrike në veriun e Kosovë.

Ajo tha se Kosova duhet të përgëzohet për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill në veri të vendit, por që sipas saj, ky proces zgjedhor s’mund të ofrojë zgjidhje afatgjate.

“Prioritet është themelimi i shpejt i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kthimi i serbëve në institucione”.

Ndërsa, nga Britania e Madhe thanë se Kosova është ranguar lartë në renditjet e Evropës, e kjo sipas këtij shteti, është sukses i rëndësishëm.

“Britania e mbështet rezolutën 12 44, por kushtet në terren janë të papranueshme që nga 99-a dhe praktikat tregojen se është koha e rishikimit të UNMIK-ut...Palët të shmangin retoriken për një normalizim dhe zbatim të marrëveshjeve...I inkurajoj palët që të zbatojnë atë që është arritur”.

Japonia tha është i nevojshëm rishikimi i mandatit të UNMIK-ut dhe se Kosova e Serbia duhet të kontribuojnë për paqe dhe stabilitet në Ballkan

“Vazhdojmë të përkrahim angazhimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Inkurajojmë Kosovën drejt përmirësimin e ekonomisë, Qeveria të angazhohet konstruktivisht në dialogut”, u tha nga përfaqësuesja e Japonisë.


SHBA: Asociacioni të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Kosova e Serbia duhet të përgëzohen për marrëveshjet e arritura deri më tani, derisa iu bënë thirrje dy shteteve të lëvizin drejt zbatimit të tyre.

Përfaqësuesi i SHBA-së deklaroi të enjten se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është projekt që u mundëson palëve të ecin përpara dhe të kenë dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë të lëvizin drejt zbatimit të marrëveshjeve dhe të shmanget kriza. Shpresojmë të shohim më shumë nga kjo sfidë e re e takimit më 2 maj, pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jenë hapat e mëtutjeshëm të themelimit të Asociacionit, që është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas zyrtarit amerikan, dialogu i ndërmjetësuar rinergjizon marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe të Aneksit.

Ai tha se UNMIK-u ka kryer mision të rëndësishëm, por tash misioni i tij ka përfunduar.


Daçiq Gërvallës: Keni ndihmuar që të akuzohen Thaçi e Veseli

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Iviça Daçiq, deklaroi se homologia e tij, Donika Gërvalla, ka mbledhur fakte kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që ata të akuzohen në Gjykatën Speciale. Ai deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimeve në OKB të enjten se me dëshmitë që Gërvalla i ka mbledhur, iu ka ndihmuar viktimave kundër të akuzuarve.

“...Dhe ku është ai (Hashim Thaçi) sot. Pse unë s'jam akuzuar apo presidenti Vuçiq. Jemi konsideruar përgjegjës për diçka, ndërsa ju keni ndihmuar që të akuzohet Thaçi dhe Kadri Veseli për krime. Me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimet të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit”, deklaroi ai.

Ministri serb tha se është akuzuar nga Gërvalla për ndasi, ndërsa u shpreh se ai është i lindur në Kosovë, e babai i tij në Shkup.

“Nuk e di pse kemi probleme gjuhësore, kurrë s’kemi pasur probleme të tilla. E mbaj mend z.Thaçi që kishte folur në gjuhën shqipe, prandaj nuk mendoj se ka ndonjë qëllim të keq. Në anën tjetër, kemi dëgjuar se çfarë Gërvalla tha. Më duhet të themi se kemi mundur të dëgjojmë nga dora e parë se si duket dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Sa ekstremizëm kemi ne, se nuk duam dialog por duam vazhdimësi të konfliktit. Pra, mund të vërehej se si në fjalimin e saj na akuzoi për segregacion apo ndasi, ndërsa unë jam i lindur në Kosovë, e i ati im në Shkup. Mos më mbani ligjërata sa i takon historisë së Kosovës”, tha ai.

Daçiq tha se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

“Mund të thoni çfarë të doni të gënjeni. Duhet të kuptoni se ne dallojmë. Kemi dallime. Ne nuk e konsiderojmë Kosovën shtet. Ju e konsideroni. Ne kemi qasjen tonë , ju tuajën. Secili vend e ka Kosovën e vetë. Për këtë arsye secili vend po çuditet se si duhet t’ qasemi zgjidhjes. Ne mendojmë se Kosova është serbi. Ju nuk pajtoheni. A duhet të fillojmë luftën. Unë miqësisht po ju pyes t’i rreshtoni qasjet tuaja me vullnetin politik të shprehur nga të gjithë. Që dialogu të ketë sukses ku kemi të bëjmë me linjat e kuqe që i ka përmendur presidenti Vuçiqi. Dua t’ia rikujtojmë të gjithëve se Vuçiqi s’ka nënshkruar asnjë marrëveshje. Pasi de facto e de jure njoha e Kosovës është e papranueshme për ne . Ose anëtarësimi i saj në OKB”, deklaroi Daçiq.

Ai shtoi se Serbia verbalisht është pajtuar për zbatim të ndonjë marrëveshjeje, por sipas ti, kushti i parë është formimi i Asociacionit.

“Të shohim çfarë do të ndodhë. Nuk doni paqe, jeni plotë urrejtje. Nuk frikësohemi nga ju, por bashkësia ndërkombëtare duhet të frikësohet nga ju. Escobari thotë kur vjen se Asociacioni duhet të formohet me ose pa Kurtin...Unë jam këtu për herën e 25-të në seanca të Këshillit të Sigurimit, por mendoj se mënyra në të cilën flisni dhe mendon se presidentët janë diçka që mund të shkojnë kundër dëshirës së komunitetit ndërkombëtar. Nuk do të jeni për kohë të gjatë. Ne nuk duam që dikush të mos përmbushë obligimet e veta, e të shpërblehet për mospërmbushje. Kjo ndodh kur bëhet fjalë me Prishtinën. Mund të kemi diskutime të gjata për shumë kohë e ditë. S’kemi pasur asnjë arsye pavarësisht dallimeve politike, duhet të flasim. Nëse duam në diçka të kemi sukses, duhet të kemi vullnet e dëshirë të madhe politike. Jam i sigurt se kjo nuk është rasti me përfaqësuesit e administratës së Prishtinës të udhëhequr nga Kurti”, shtoi ai.


Gërvalla Daçiqit: Ju treguat pse në vitet e 90-a iu quajtën “Slloba i vogël”

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Sch]arz, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, duke thënë se tash ministri serb se tregoi vetë se pse e quanin “Slloba i vogël” në vitet e 90-ta.

“Ju treguat vetëm sot pse njerëzit në Serbi në vitet e 90-ta ju quanin ‘Slloba i vogël’, ‘Millosheviqi i vogël’, për shkak të idhullit tuaj. E kuptoj se jeni i zemëruar, e njoh këtë gjuhë që moti. Ju e keni të vështirë t’ua shpjegoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999 dhe duhet ta mbani një retorikë të tillë”, tha Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gërvalla ka thënë se populli i Serbisë nuk meriton të ketë në krye njerëz si Daçiqi apo Aleksandar Vuçiqi

“E vërteta dhemb e di. Mund të përdorni citate nga viti 1000, 1500 apo kurdo. E vërteta dhemb. Më vjen shumë keq, jeni fqinj i yni e duhet të përballemi me ju”, tha Gërvalla. “Ju folët për babanë tim, e bën akoma më të qartë se si ju mendoni personalisht. Babai im ishte shkrimtar e gazetar dhe ai u vra, iu bë atentat nga shteti që ishte dominuar nga Serbia. Është fakt. Ish-UDB-ja ishte dominuar nga Serbia, ishte shërbim sekret i dominuar nga Serbia. E shërbimi i bëri atentat babait tim, e vrau, pasi ai donte Kosovën e pavarur. Një Kosovë të pavarur, për ju personalisht është aq e vështirë për t’u pranuar sa më përpara do të pranonit një atentat ndaj një gazetari që kërkon diçka të tillë në mënyrë paqësore, me tekste e shkrime”.

Gërvalla ka thënë se me Daçiqin e Vuçiqin, Serbia nuk ka rrugë drejt BE-së.

Ajo është kundërpërgjigjur edhe ndaj deklarimeve të ministrit të Jashtëm të Serbisë, që tha se Gërvalla ka mbledhur fakte për të dërguar në Hagë ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Më lejoni t’u them, Gjykata Speciale është themeluar nga Parlamenti i Kosovës e jo nga Serbia, jo nga Serbia e Vuçiqit. Ka qenë vendim i pavarur për të hetuar krimet e mundshme, krimet apo shkeljet e mundshme të kryera në vitet 1998-2000. Është me rëndësi të njohim angazhimet e veprat heroike të qytetarëve të Kosovës që shpëtuan jetë të qindra e mijëra njerëzve nga makineria vrasëse serbe, pjesë e së cilës ishit ju. Ne njohim vlerat heroike të UÇK-së të cilët morën qëndrim për t’i dalë ballë këtij gjenocidi. Ishte pala juaj që bëri shkatërrime, dogji shtëpi, vrau burra, gra, foshnja e madje festonte këtë. Ky gjenocid është festuar, e ju ishit në mesin e atyre që festoi. Populli i Kosovës mbronte shtëpitë e veta. Forcat serbe ishin terroristë të sponsorizuar nga shteti i Serbisë”, tha Gërvalla.

Ajo tha se është e bindur se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të akuzuarit tjerë në Hagë kanë çdo argument për të dalë të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

“Ndërlidhja ime me çfarëdo gjëje në Hagë është e pavërtetë. Ju këshilloj të lexoni më tepër e jo vetëm kryetituj”, tha Gërvalla. “Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik. Një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Do të thotë se si shtet demokratik jemi duke biseduar me fqinjin tonë shumë problematik lidhur me normalizimin e raporteve. Nuk është dialog për statusin e Kosovës, ajo është kryer tashmë dhe njohur nga më shumë se 115 shtete anëtare të OKB-së, por është diskutim në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve tona”.

Gërvalla ka shtuar se me veprimet e Serbisë kohëve të fundit ka dyshime nëse është arritur ndonjë dakordim në Bruksel e Ohër apo jo.

Ajo në fund ka thënë se shpreson që në “Serbi të ngadhënjejnë njerëzit e arsyeshëm dhe të dalin sipër qytetarëve si Daçiq e Vuçiq, që janë pjesë e të shkuarës”.

17:16

Daçiq: Serbia kurrë s’do ta njohë pavarësinë e Kosovës, qëllimi i Kurtit dëbimi i serbëve

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është i sigurt që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do t’i përmbushë marrëveshjet. Daçiq ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne jemi të sigurtë që Kurti nuk do të përmbushë marrëveshjen, sepse qëllimi i tij është të dëbojë serbët. Është e nevojshme të sigurohet një jetë dinjitoze për të gjithë popullin e Kosovës e M.”, tha Daçiq, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Daçiq ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi është në një moment vendimtar. Ai ka thënë se ka dhjetë vjet që është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit dhe ende nuk është themeluar Asociacioni.

“Është e nevojshme që të gjitha marrëveshjet e kaluara në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, të cilat unë i kam nënshkruar me Catherine Ashtonin e Hashim Thaçin, të implementohen plotësisht. Është e nevojshme të themelohet sa më shpejt AKS-ja. Është mekanizimi i vetëm për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë e M. Në këtë dhomë 10 vjet më parë u cilësua Marrëveshja e Brukselit si dokument historik. Por, dhjetë vjet më pas s’ka ndodhur asgjë”, tha Daçiq.

Ai tha se Asociacioni është obligim i palës kosovare. Daçiq ka kundërshtuar zgjedhjet e fundit në komunat në veri të Kosovës. Ai tha se njohja e rezultateve të zgjedhjeve të të komunave në veri, përbën “shkelje të demokracisë dhe tentim pushtimi të veriut”.

Ai ka folur për serbët që janë larguar nga Kosova. Ndërsa Daçiq ka insistuar se “Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as nuk do ta pranojë e votojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së”.


Gërvalla në OKB: Vuçiqi ende po vepron si ministër i propagandës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po vepron si ministër i propagandës, siç operonte nën pushtetin e Slobodan Millosheviq.

Ajo deklaroi të enjten se Vuçiqi ishte dora e djathtë e kasapit të Ballkanit, ndërsa shtoi se presidenti serb s’ka kërkuar asnjëherë falje për krimet e kryera.

“Presidenti Vuçiq ishte ministër i propagandës për kryetarin Millsheviq dhe ai ende po vepron si ministër i propagandës. Njeriu i dorës së djathtë apo i kasapit të Ballkanit që është përgjegjës për luftërat e Ballkani, është personi që sapo foli para nesh. Ky ka shumë gabime në duart e tij. S’ka pasur fjalë të keqardhjes, në vend të kësaj ka përbuzje të viktimave...Daçiqi, tash ministër i Punëve te Jashtme është përgjegjës për vrasje masive dhe dhunim dhe duhet të sillet para drejtësisë para një tribunali për krime lufte”, tha Gërvalla.

 

16:46

UNMIK-u në Këshillin e Sigurimit: Zotimet e Kosovës dhe Serbisë të shoqërohen me veprime

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm, Caroline Ziadeh, në fjalimin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit, ka deklaruar se udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi duhet të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm lidhur me zotimet që i kanë bërë në marrëveshjet e fundit.

Duke folur në lidhje me marrëveshjet e rëndësishme të arritura nga palët, shefja e UNMIK-ut u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në raportimin e saj të fundit për Kosovën, që mbahet dy herë në vit, se mungesa e një përkushtimi të dukshëm nga liderët politikë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin rajonal.

“Përqendrimi i vazhdueshëm i vëmendjes në parimet dhe deklaratat e pohuara bashkërisht më 27 shkurt në Bruksel dhe të shtjelluara më tej më 18 mars në Ohër, duhet të shoqërohen me udhëheqje të guximshme”, ka thënë ajo.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Komunikim e UNMIK-ut, thuhet se ajo ka inkurajuar liderët që të komunikojnë qartë me zgjedhësit e tyre mbi çështjet që prekin jetesën, paanshmërinë e institucioneve gjyqësore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ajo ka përmendur edhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku u bëri thirrje liderëve dhe institucioneve të zgjedhura që të përmbushin interesat e të gjitha komuniteteve.

Ziadeh ka vlerësuar se një deklaratë e përbashkët për personat e zhdukur do të mundësonte rifillimin e bashkëpunimit të plotë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

"Kjo do t'u siguronte familjarëve nga të dyja palët, mundësinë të marrin përgjigje për më të dashurit e tyre”, ka theksuar ajo.

Lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Ziadeh bëri thirrje për shqyrtim të draft-statutit.