Caroline Ziadeh, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shefe e UNMIK-ut, ka thënë të martën se Kosova është përballur me pasiguri në muajt e fundit e se liderët politikë në vend “duhet të zgjedhin mes kërcënimeve apo gjesteve të vullnetit të mirë”.
Në kuadër të raportimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të raportit gjashtëmujor të Sekretarit të OKB-së, Antonio Guterres, për situatën në Kosovë, Ziadeh ka thënë se udhëheqësit politikë në Kosovë duhet të vendosin në favor të të të gjithë shoqërisë.
“Që nga pranvera e kaluar, ne të gjithë kemi vërejtur disa përshkallëzime në retorikën politike… si dhe disa momente të tensionit akut në terren. Këto rrezikuan të zmbrapsnin shumë nga rezultatet e arritura më parë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ajo.
Ajo ka kujtuar se ndërhyrjet diplomatike dhe takimi në gusht në kuadër të dialogut, ndikoi në “shtensionim të përkohshëm”. Megjithatë, sipas saj, situata mbetet fragjile “me zhvillimet në Kosovë të ndikuara në mënyrë të pashmangshme nga mjedisi aktual i sigurisë në Evropë”.
“Ka shumë zgjedhje që duhen bërë nga liderët politikë në ditët në vijim se si të menaxhojnë ambiciet dhe objektivat e tyre duke pasur parasysh konturat e pasigurisë më të gjerë ekonomike dhe të sigurisë në këtë kohë. Zgjedhjet mes bashkëpunimit apo ndarjes, mes kërcënimeve apo veprimeve të vullnetit të mirë, në mes të kompromiseve apo kalkulimeve për përfitim të njëanshëm”, ka thënë ajo.
Shefja e UNMIK-ut ka bërë thirrje për respektim të të gjitha vendimeve të gjykatave të larta në vend.
Edhe
UNMIK-u në Këshillin e Sigurimit: Zotimet e Kosovës dhe Serbisë të shoqërohen me veprime
Ajo po ashtu ka lavdëruar Qeverinë e Kosovës për adresim lidhur me sundim të ligjit. Shefja e UNMIK-ut ka thënë se shtetet evropiane tash duhet të marrin përgjegjësinë për liberalizim të vizave.
Ziadeh ka thënë se prania e KFOR-it siguron mjedis të qetë e të sigurt në Kosovë.