Arbëri

Përfundon vendosja e kontejnerëve për zgjedhje në veri, Policia rrit praninë

Është vendosur edhe qendra e fundit mobile në veri, një ditë para zgjedhjeve të së dielës. Objektet që tashmë janë pajisur edhe me inventar, do të vëzhgohen nga kamera të sigurisë. Ndërkaq, burime në Polici treguan se mbi një mijë pjesëtarë të saj do të jenë në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur secilës situatë.

Kontejneri i improvizuar si vendvotim për ditën e zgjedhjeve është i fundit që është vendosur sot në Jasenovik të Zubin Potokut, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Në majë të katundit, në vendin e njohur si “molla e vogël”, këtë objekt po e ruan Policia e Kosovës, prezenca e së cilës do të dyfishohet gjatë orëve të fundit para nisjes së procesit zgjedhor.

Në Polici nuk e treguan numrin e zyrtarëve të saj që janë angazhuar për të dielën, por burime të KOHËS thanë se numri i atyre që do të jenë në gjendje gatishmërie e tejkalon njëmijëshin. Po këto burime treguan se tashmë janë përforcuar dy pikëkalimet kufitare me Serbinë në veri dhe bënë të ditur se njësitet elite të intervenimit të shpejtë janë vendosur në këtë pjesë, për t’iu përgjigjur çfarëdo situate.

Kamera të sigurisë janë vendosur lart në shtyllat elektrike, afër secilës qendër votimi.

E, qendra mobile në të cilën qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kryetarin e Zubin Potokut, është relativisht e vogël.

Dy tavolina e 6 karrige është vlerësuar të jenë të mjaftueshme për stafin që do ta mundësojë mbarëvajtjen e procesit, ani se në këtë qendër votimi e edhe në të tjerat si kjo, mesatarisht të drejtë vote do të kenë nga 750 deri në 2 mijë qytetarë.

Një qendër e këtillë alternative e votimit, është vendosur më herët edhe rrugës për në Leposaviq. Edhe këtu po bëhen përgatitjet e fundit.

Një test po i bëhet edhe gjeneratorit që do ta sigurojë energjinë elektrike, po qe se ajo mungon.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin elektoral të së dielës.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën e cila është aktualisht, por sa i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ne i kemi kryer detyrat që i takojnë një institucioni të pavarur kushtetues siç është KQZ-ja, për organizimin e këtij procesi zgjedhor. Dhe, natyrisht se institucionet e tjera, ato të sigurisë kanë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për ditën e zgjedhjeve”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq do të jenë gjithsej 19 qendra të votimit me mbi 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Gjithsej 13 qendra votimi do të jenë si mobile, si ajo Jasenovikut e gjashtë të tjerat do të jenë objekte shkollash, ku janë mbajtur edhe më herët zgjedhjet.