Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rasti i profesorit Bejta, pa i parë provat, Policia e Prokuroria konstatuan se s’ka elemente të veprës penale

Një studente e cila thotë të jetë viktimë e kërcënimit nga profesori i UP-së, Bekim Bejta, i është drejtuar Policisë dhe Prokurorisë pasi nuk gjeti mbështetjen e kërkuar në Universitet. Por Policia nuk e mori parasysh e Prokuroria fillimisht konstatoi se nuk ka elemente të veprës penale pa i shikuar dëshmitë që ajo i kishte ofruar në një USB. Rasti u rihap tek pas ankesës në Inspektoratin Policor.

Profesori në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, i cili në audio-incizimet e publikuara nga KOHA dëgjohet duke kërcënuar e fyer studentët, është duke u hetuar nga Prokuroria.

Për shkak se nuk gjeti mbështetje në hallkat menaxhuese të sistemit arsimor, një nga studentet që u kërcënua nga profesori i Departamentit të Gjuhës Angleze, iu drejtua sistemit të drejtësisë, në tetor të viti të shkuar.

Por ajo thotë se Policia nuk e mori parasysh e Prokuroria fillimisht konstatoi se nuk ka elemente të veprës penale pa i shikuar dëshmitë që denoncuesja i posedonte.

“Fillimisht unë jam pritur mirë nga polici, por ai nuk e mori parasysh ankesën time, sepse më tha nuk është kanosje, qysh po thu ti, por kanosje është kur të kthehet dhe të drejtohet ka me të vra e ka me të mytë. Edhe pse e kisha USB-në me vete me incizime që e vërtetonte atë që e thosha, ai nuk e mori që t’i dëgjojë ato incizime”, tha studentja e Fakultetit të Filologjisë.

Prokuroria i rinisi hetimet në fund të viti të shkuar, vetëm pasi studentja i raportoi në Inspektoratin Policor zyrtarin policor të stacionit Qendra në Prishtinë me inicialet B.R. dhe prokurorin kujdestar B.J.

Edhe Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj ish-profesorit të UP-së, Bekim Bejta LAJMET E MBRËMJES Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj ish-profesorit të UP-së, Bekim Bejta

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Aktualisht, ndaj kësaj çështjeje janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga prokurori i rastit”, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Inspektorati nuk tregoi për veprimet ndaj zyrtarit policor, ndërkaq për ankesën ndaj prokurorit ky institucion e përcilli informatën në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Studentja thotë se mospranimi i incizimeve që inkriminojnë profesorin Bejta u arsyetua nga Inspektorati Policor me rrezikun nga viruset kibernetike që mund të vinte nga USB-ja me videoincizime.

Adelina Berisha është hulumtueses në Rrjeti i Grave të Kosovës dhe thotë se çdo neglizhencë e institucioneve të drejtësisë hap rrugë që rasti të marrë epilog negativ.

“Cilado hallkë e këtij zinxhiri që nëse dështon në ofrim të mbështetjes atëherë rasti ka me përfunduar keq, drejtësia nuk do të vijë në këtë rast. Për shembull nëse Policia nuk e merr për bazë deklaratën ose nuk i evidenton të gjitha provat, nuk di ta intervistojë siç duhet viktimën dhe t’i marrë informacionet e rëndësishme, një vërejtje shumë e madhe është edhe vlerësimi i rrezikut. Do të thotë, Policia e ka vështirë ta bëjnë këtë vlerësim, sesa është në rrezik një viktimë dhe në bazë të asaj të marrin masa”, tha Berisha.

Edhe Zvarritja e marrjes së masave dhe tërheqja nga posti e shpëtojnë Bejtën nga ndëshkimi Arbëri Zvarritja e marrjes së masave dhe tërheqja nga posti e shpëtojnë Bejtën nga ndëshkimi

Prej vitesh profesori Bekim Bejta është denoncuar nga studentë për kërcënim e dhunë psikike. Në audioincizimet e publikuara nga KOHA, dëgjohet përdorimi i gjuhës denigruese e epitete që u jep studenteve, si dhe oferta për kalimin e provimit.

Për të gjitha këto, ai është dënuar vetëm një herë nga Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës, me mohim të përfshirjes në mentorim.