Arbëri

Zahir Pajaziti përkujtohet nga krerët si lajmëtar i lirisë

Në 26-vjetorin e rënies së komandantit Zahir Pajaziti, krerët e institucioneve vendosën lule dhe përkujtuan sakrificën e tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Zahir Pajaziti dhe të gjithë të rënët përkujtohen si lajmëtarë të lirisë, për frymëzim dhe lavdi.

“Në këtë 26-vjetor të rënies së heronjve tanë, i përkujtojmë si lajmëtarë të lirisë, për frymëzimin e jashtëzakonshëm që dhanë Zahiri me shokë. Për të gjithë ushtarët e UÇK, për të gjithë ata që luftonin për Zahirin, frymëzim edhe më të madh, por edhe për të gjithë ata që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ditë është ndër më të lavdishmet të historisë së UÇK-së, dhe të gjitha Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani.

Sipas presidentes, Republika e Kosovës u krijua mbi themelet e forta të gjakut të dëshmorëve dhe të heronjve.

“Përkujtimi dhe respekti do të mbesë i përjetshëm, por edhe puna jona në forcimin e shtetit,që u ndërtua me gjak, do ta ketë udhërrëfyes këtë sakrificë dhe heroizëm, shembullin e tyre që u dha 26 vjt më parë”, shtoi ajo.

Kryeministri Albin Kurti tha se përkujtimi i komandantit Zahir Pajaziti dhe i dëshmorëve të tjerë, tregon sa i madh ishte çmimi për lirinë, shtetin dhe pavarësinë.

“Para 26-vjetësh, komandanti Zahir Pajaziti, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhës, ranë në Pestovë të Vushtrrisë. Ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare dhe pararendës të luftës çlirimtare. Duke kujtuar e përkujtuar komandantin dhe dëshmorët e tjerë, tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë, shtetin e pavarësinë dhe sa i vlefshëm është për tash e për të ardhmen kujtimi për ta”.

Ndërsa, zv.kryeministrja Donika Gërvalla, theksoi se sakrifica e ushtarëve të UÇK-së është udhërrëfyes për punët e ditëve të sotme.

Më 31 janar të 1997-s, komandanti Zahir Pajaziti së bashku me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë në pritë nga forcat serbe, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

Pajaziti është shpallur "Heroi i Kosovës".