Arbëri

25 vjet burgim për dy të akuzuarit për vrasjen në “Bon Vivant”

I akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U. në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rendë në bashkëkryerje dhe me 1,500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata ndaj Gërdovcit ka shqiptuar edhe dënim plotësues për konfiskimin e armës e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale të vrasjes e rëndë në bashkëkryerje, të akuzuarit Sherif Krasniqi, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjetësh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, Avni Syla.

Më 10 janar, në fjalën përfundimtare, në rigjykimin ndaj të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre, ndërsa mbrojtja lirimin e dy të akuzuarve. Dy të akuzuarit kishin zgjedhur të mbroheshin në heshtje.

Në seancën e 4 marsit 2022, gati 7 vite prej ngritjes së aktakuzës për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, aktakuza ndaj dy të përfshirëve në këtë rast, Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, është ndryshuar. Sipas Prokurorisë, Masar Gërdovci është i akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U e jo Sherif Krasniqi.

Gjykata Supreme rastin e ka kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.

Me aktgjykimin e vitit 2019, Masar Gërdovci, ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasje, ndërkaq Sherif Krasniqi, ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj, për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, pasi që ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje./BpD