Arbëri

Sveçla për barrikadat në veri: Pritja ka fund

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pritjes për heqjen e barrikadave që janë vendosur nga serbët në veri po i vjen fundi.

Në një konferencë për media të enjten, Sveçla ka deklaruar se nëse KFOR-i nuk ndërmerr masa për tërheqjen e tyre, atëherë do të veprojnë institucionet e Kosovës.

“Për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet qoftë nga ata që i kanë vënë barrikadat apo nga KFOR-i, por edhe pritja e ka fundin e saj”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka shtuar se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për heqjen e barrikadave serbe nga veriu.

Ai ka thënë se barrikadat kanë humbur arsyen e vendosjes dhe Serbia po i shfrytëzon ato “për bllokim të veprimeve ligjore të Kosovës”.

Sveçla u shpreh se ish-polici serb, Dejan Pantiq, që u arrestua ditë më parë, po vazhdon të mbahet në një stacion policor afër Jarinjës.

“Ai po mbahet në stacionin policor në Jarinjë. Gjendja e tij është e mirë dhe ka trajtimin e duhur. Ai do të duhej të ishte në stacionin e duhur, e jo në mbajtje. Kemi proceduar kërkesën te partnerët për transferimin e tij në objektet adekuate, që të vazhdohen procedurat adekuate. Prioritet mbetet transferimi i tij dhe largimi i barrikadave e mundëson transferimin e tij lehtë dhe sigurt”, deklaroi ai.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, mënyra më e mirë e heqjes së barrikadave është të bëhet nga ata që i kanë vendosur.

“Mënyra më e mirë është largimi i atyre që i kanë vendosur. I kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largim të barrikadave. Presim sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo mund të themi që është renduar. Po presim që sa më shpejt të largohen dhe nëse kjo nuk ndodh, ne kemi kapacitete për ta bërë vet”, u shpreh Sveçla.

Ai ka theksuar se zyrtarët e Policisë së Kosovës janë në krye të detyrës, të gatshëm për të ofruar siguri të lartë për qytetarët.

“Policia do të vazhdojë të zbatojë ligjin, edhe përkundër sfidave. Kuptojeni drejtë situatën, siç po e kuptojnë profesionistët. Nuk mund të flitet për çfarëdo lodhje apo keqësim të gjendjes së tyre (policëve v.j.)”, ka thënë ai.