Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është përballur me një sërë sulmesh në veri.
Sveçla në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka thënë se ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave të grupeve kriminale në afërsi të digës së Ujmanit, porse situata është qetësuar.
Sveçla ka thënë se pas hetimeve Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë ish-pjesëtarin e MUP-it, Dejan Pantiq, njëherit ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, si një nga organizatorët në sulmet në zyrat e komisioneve zgjedhore komunale, e po ashtu sulmeve ndaj policëve dhe zyrtarëve të KQZ-së. Ai akuzohet për sulm ndaj rendit Kushtetues dhe sulm terrorist.
Pantiqit është në paraburgim për 48 orë ndërsa Sveçla ka thënë se janë identifikuar edhe disa kriminelë tjerë.
“Marrë parasysh rolin e të arrestuarit, mbrëmë jemi ballafaquar me barrikada që kishin për qëllim pengimin e Policisë për dërgimin e tij në jug, për procedura të mëtutjeshme. Nga pasdita e djeshme janë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, kështu kemi mbyllë dy pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak. Ka pasur shkëmbim zjarri mes zyrtarëve policorë me disa grupe kriminale, pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe afër digës së Ujmanit. Pas shkëmbimit të zjarrit situata është vendosur nën kontroll”, ka thënë Sveçla.
Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për propagandë.
Sveçla ka bërë apel që barrikadat të hiqen. Ai ka thënë se beson se barrikadat do të hiqen së shpejti.Ai ka treguar se janë në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in.
“Policia ka kapacitete të duhura të veprojë në këtë drejtim. Në momentin që e vlerëson të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen, do të ndërmarrin veprimet e duhura. Gjithë këto po ndodhin koordinim me partnerët. Besoj se shumë shpejt do të arrijmë situatën ku nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë”, ka thënë Sveçla.