Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

352.000 ndërtime presin legalizimin

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Me beton e tulla janë mbushur jashtëligjshëm tokat nëpër Kosovë. Shumë shtëpi individuale e objekte kolektive janë ndërtuar për këta 20 vjet, duke i shpërfillur procedurat e lejeve ndërtimore. Numri e kalon 300-mijëshin në nivel vendi. Të tillat, përveç shpërfilljeve të lejeve ndërtimore, në shumë raste nuk janë kursyer edhe tokat bujqësore apo pronat publike.

Sipas ekspertëve, rreth 1.2 milionë banorë të Kosovës jetojnë në objekte pa leje. E shteti ka dalë i pafuqishëm kundrejt këtij kaosi ndërtimor gjithandej vendit. Zgjidhje këtij problemi është tentuar t’i jepet me Ligjin 04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili i trajtonte objektet e ndërtuara deri në vitin 2013. Por i njëjti nuk ka arritur ta kryejë misionin e vet.

Për shkak të procedurave pothuajse të njëjta sikur në rastin kur kërkohet leje ndërtimore dhe po ashtu çmimit të lartë, numri i objekteve të legalizuara me atë ligj mbetet shumë simbolik. Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ishte ndërprerë, pasi në fillim të vitit 2017 është shfuqizuar Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili kishte afat kohor që e mbante atë në fuqi për tre vjet – nga 4 shkurti 2014, deri në datën e njëjtë të vitit 2017, shkruan Koha Ditore.

Qeveria në largim (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) vitin e kaluar e ka nxjerrë një ligj të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, duke i thjeshtësuar procedurat e aplikimit dhe duke zbritur çmimin për metër katror. Por e njëjta është vonuar për gjashtë muaj që t’i nxjerrë edhe aktet nënligjore për ta bërë të zbatueshëm këtë ligj, i cili i ka afat dy vjet me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera. Dhe tashmë një vit ka kaluar prejse është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ritmi për t’i legalizuar rreth 350 mijë objektet e evidencuara pa leje është shumë i vogël.

Ekspertë të ndërtimit dhe zyrtarë të shoqërisë civile dyshojnë se i njëjti do të mund ta përmbyllë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas tyre, vetëm Prishtinës do t’i duhen së paku 10 vjet për ta përmbyllur këtë proces.

Edhe Aliu: 352 mijë ndërtime pa leje në nivel vendi Arbëri 3 v. më parë Aliu: 352 mijë ndërtime pa leje në nivel vendi

Ligji që duhet t’i trajtojë ndërtimet pa leje

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) thonë se nga procesi i kaluar i legalizimit, i bazuar në Ligjin Nr.04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje (i cili tanimë është i shfuqizuar) është krijuar Regjistri Shtetëror i Ndërtimeve Pa Leje ku janë identifikuar përmes ortofotos zyrtare të vitit 2013 rreth 352 mijë ndërtime pa leje në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Zyrtari i lartë në Divizionin për Komunikim Publik në MMPH, Bajram Kadriu, thotë se Ligji Nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje i miratuar në shtatorin e vitit të kaluar, e njeh këtë regjistër dhe jep mundësinë e identifikimit të ndërtimeve të tjera pa leje deri në kohën e hyrjes në fuqi të tij (sipas Kadriut më 5 shtator 2018). Megjithatë, ai ende nuk e di nëse ky numër i ndërtimeve pa leje ka ndryshuar më pas.

“...Akoma nuk kemi numër të identifikuar nga procesi i ri për legalizim, dhe i bie se ende nuk kemi të dhëna për të krahasuar... Pasi nuk mund të kemi të dhëna të ndërtimeve pa leje nga procesi i ri për legalizim nuk mund të vlerësojmë këtë situatë”, ka thënë ai.

Duke e bërë një krahasim ndërmjet dy ligjeve (atij të shfuqizuar dhe atij në fuqi), Kadriu ka thënë se procesi i kaluar i legalizimit ka paraparë procedura më të komplikuara, dokumentacion të tepërt, si dhe taksa më të shtrenjta.

“Po ashtu, përgjegjësia ka qenë e përqendruar vetëm tek komunat dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Duke marrë për bazë të gjitha vështirësitë nga procesi i kaluar, Ligji i ri është munduar t’i adresojë të gjitha problematikat, pasi ka qenë e paimagjinueshme numri kaq i madh i ndërtimeve pa leje. Legjislacioni i ri ka paraparë procedura të thjeshtëzuara, dokumentacion dukshëm më pak dhe taksa shumë më të lira, si dhe përgjegjësia në procesin e legalizimit është adresuar tek të gjitha institucionet, ministritë, agjencitë dhe institucionet e tjera publike”, është shprehur zyrtari për komunikim publik në MMPH.

“Ligji i vjetër ka ofruar mundësinë falas për secilin të bëjë regjistrimin e ndërtimeve pa leje dhe për këtë arsye ka pasur numër të madh të ndërtimeve të deklaruara për t’u trajtuar dhe hapi tjetër për aplikim për legalizim ka kërkuar një numër të madh të dokumenteve dhe projekteve që kur janë bashkangjitur edhe taksat të cilat kanë qenë të njëjtat sikur në procesin e marrjes së rregullt të lejes së ndërtimit, e ka bërë procesin si të shtrenjtë. Ligji i ri sidomos për objektet e kategorisë së parë (shtëpitë) bën lehtësira, si dhe taksat janë vetëm një euro për metër katror”.

Ky ligj, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i trajton të gjitha ndërtimet pa leje të ndërtuara deri në kohën e hyrjes në fuqi të tij.

“Ky ligj i konsideron si të ligjshme të gjitha ndërtimet të cilat janë të regjistruara në kadastër dhe regjistrin e të drejtave në pronë të paluajtshme, si dhe ndërtimet në listën e trashëgimisë kulturore. Të gjitha ndërtimet pa leje që kualifikohen për legalizim do të trajtohen konform këtij ligji. Objektet të cilat e kanë të rregulluar çështjen pronësore do të trajtohen pa vonesa, ndërsa ato të cilat nuk e kanë të rregulluar çështjen pronësore do të mbesin në listën e pritjes derisa këtë çështje ta rregullojnë”, ka theksuar Bajram Kadriu.

“Po ashtu, ligji ka paraparë që ndërtimet e ndërtuara në prona publike, shoqërore, në zonat e veçanta, korridoret e infrastrukturës, do të trajtohen me programe të veçanta të cilat do të hartohen nga Ministria dhe do të miratohen nga ana e Qeverisë...Kostoja për legalizim varet prej sipërfaqes së objekteve. Ndërtimet shumëkatëshe hyjnë në kategorinë II të ndërtimeve, dhe taksa për legalizim është 2 euro për metër katror. Kësaj kostoje i shtohet edhe kostoja e përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm”.

Megjithëse vetë ka dhënë shumë vërejtje, Kadriu nuk preferon ta quajë të dështuar Ligjin e vjetër për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Nuk mund të quhet i dështuar procesi i kaluar i legalizimit, në këtë rast janë identifikuar rreth 352 mijë ndërtime pa leje, para hartimit të këtij ligji ka qenë e paimagjinueshme numri kaq i madh i ndërtimeve pa leje. Andaj është parë e nevojshme plotësimndryshimi i ligjit, si dhe koha e kufizuar e zbatimit të tij, pasi si proces ka zgjatur vetëm 3 vjet. (Ligji i ri) shpresojmë se do të ketë sukses më të madh se ligji i kaluar”.

Prishtina legalizoi 178 objekte nga 46.500 të evidencuara

Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, është më e atakuara me ndërtime pa leje. Në këtë komunë përveç objekteve individuale, janë edhe shumë ndërtesa kolektive që nuk kanë leje ndërtimi dhe po ashtu disa janë ndërtuar edhe në prona publike. Rreth 50 mijë është numri i këtyre objekteve të evidencuara deri në vitin 2016. Por ky numër mund të jetë rritur për këta tre vjet. Ndërkohë, vetëm 200 prej tyre ishin legalizuar gjatë kohës sa ishte në fuqi Ligji i vjetër. Zyrtarët për marrëdhënie me media në Komunën e Prishtinës thonë se pas vitit 2016 nuk kanë evidencuar objekte pa leje.

“Me programet paraprake numri i objekteve të identifikuara nga Komuna e Prishtinës pa leje ndërtimi, deri më dt. 22.12.2016, ka qenë 46.500. Numri i aplikimeve me programet paraprake është 6800, ndërsa deri më dt. 22.12.2016 janë legalizuar 178 objekte të ndërtuara pa leje...Nuk ka pasur identifikime pas dt. 22.12. 2016”, ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

Sipas saj, këtë vit nga korriku deri në muajin tetor 2019 i kanë pasur 122 aplikime të reja për legalizimin e objekteve pa leje. Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës e mohon se ky ligj i trajton edhe objektet e ndërtuara në prona publike. Miranda Mullafazliu thotë se për objektet pa probleme pronësore mund të përmbyllet procesi i legalizimit.

“Kurse me objektet me probleme pronësore (të cilat sipas ligjit hyjnë në listën e pritjes) nuk besoj se qytetarët do të kenë vullnetin ta përfundojnë këtë proces. Ligji për legalizim parasheh legalizimin e ndërtimeve në pronat private, por jo edhe në pronat publike, pronat shoqërore, tokat bujqësore nën komasacion dhe sistem të ujitjes, zonat e mbrojtura, sipërfaqet e mbrojtura, zonat e veçanta të mbrojtura, zonat e veçanta, korridoret e infrastrukturës dhe pa pronësi të rregulluar ose pa të drejtë shfrytëzimi”.

Mullafazliu ka treguar edhe kohën sa mund të marrë procedura e legalizimit të një objekti që nuk ka probleme pronësore.

“Objektet e kategorisë I dhe II të cilat janë shtëpi- 60 ditë, kategoria II- 90 ditë, deri te marrja e certifikatës së legalizimit. (aplikimi, shqyrtimi, pagesa e taksës dhe certifikata e legalizimit)...Kostoja për objektet shumëkatëshe ose kategori II është 2€ / m2”.

Çmimin e përcaktuar për metër katror të pranueshëm e konsideron edhe eksperti i çështjes së banimit, Driton Tafallari. Por ai ka thënë se nga pronarët kërkohet edhe incizimi gjeodezik, që është shpenzim shtesë. Ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të kërkohet edhe projekti ndërtimor.

“Ligji i ri është më i avancuar se ligji i mëparshëm sidomos në dy segmente: Tarifat për pagesë janë më të lira (p.sh. 1 euro/m2 për shtëpi individuale dhe 2 euro për m2 për kategorinë e dytë, është një taksë e pranueshme), si dhe format e aplikimit janë thjeshtuar dukshëm. Me një fjalë, për një shtëpi individuale rreth 200 m2 do të kërkohet rreth 200 euro taksë për legalizim. Por kjo nuk është pagesa e vetme e cila duhet të paguhet nga pronarët apo investitorët e ndërtimeve që nuk kanë leje. Sipas një udhëzimi administrativ nga pronarët/investitorët kërkohet incizimi gjeodezik i cili është shpenzim shtesë. Po ashtu, nuk është e qartë nëse komunat do të kërkojnë edhe dokumente shtesë, siç janë plani dhe projekti ndërtimor i cili edhe më shumë do t’i ngarkonte pronarët/investitorët”, thotë Tafallari. “Mendoj që përpos taksës e cila është e pranueshme, pronarët/investitorët duhet të kursehen nga pagesa për incizimet gjeodezike dhe projektet ndërtimore. Harxhimet për incizime gjeodezike duhet të mbulohen nga komuna përmes buxhetit komunal, ndërsa projektet ndërtimore nuk duhet të kërkohen fare (eventualisht foto apo ndonjë skicë e thjeshtë)”.

Vonesat e udhëzimeve administrative

Edhe Rriten kërkesat për legalizimin e objekteve pa leje Arbëri 3 v. më parë Rriten kërkesat për legalizimin e objekteve pa leje

Faton Hoxha është kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës. Ai thotë se Ligji i ka thjeshtëzuar shumë procedurat e aplikimit, por, sipas tij, duhet të presin të shohin si po zbatohet në praktikë.

“Numrin e saktë nuk e kemi, por kërkesa për legalizim në nivel vendi janë rreth 340 mijë. Ndërsa vetëm në Komunën e Prishtinës rreth 46 mijë kërkesa. Por kjo nuk do të thotë se janë aq objekte, sepse mund të jenë disa kërkesa nga persona të ndryshëm për një objekt të vetëm, këtu po iu referohem objekteve kolektive”, ka theksuar Faton Hoxha. “Ligji i ri dhe udhëzimet administrative i kanë thjeshtësuar skajshmërisht procedurat e aplikimit për legalizim. Sipas meje, çmimi është simbolik. Siç e ceka më lart, Ligji është shumë mirë i formuluar, megjithatë në praktikë duhet të presim të shohim nëse do të ketë mangësi gjatë implementimit”.

Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje në gusht të vitit 2018, kërkohej që të miratoheshin edhe udhëzimet administrative që e rregullonin këtë çështje. Por MMPH-ja ishte vonuar për gjashtë muaj, duke kaluar kështu një vit. Eksperti për çështje banimi, Driton Tafallari, thotë se me gjashtë muaj vonesë, në korrik të vitit 2019, janë publikuar 5 udhëzime administrative të cilat duhet të rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje në Kosovë.

“Me një fjalë, në korrik të këtij viti ka filluar zyrtarisht zbatimi i ligjit me të cilin planifikohet që të trajtohen mbi 350.000 objekte pa leje që mendohet që ekzistojnë në tërë Kosovën. Trajtimi i këtyre objekteve është ndarë në dy grupe. Objektet e banimit dhe ato afariste do të trajtohen nga komunat (kategoria 1 dhe 2), ndërsa objektet e ashtuquajtura të rrezikshmërisë së lartë (kategoria 3), p.sh. digat, stadiumet, aeroportet, etj., do të trajtohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH)”, është shprehur Driton Tafallari.

Për vonesën e nxjerrjes së akteve nënligjore vërejtje ka edhe drejtoresha e OJQ INPO, Albulena Nrecaj. Sipas saj, ende nuk mund të flitet për efektet e këtij ligji.

“Ligji ka hy në fuqi në gusht të 2018-s. Ky ligj bukur mirë i ka thjeshtëzuar procedurat dhe ka ulur taksat për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Efekti i ligjit akoma nuk është vërejtur në praktikë. Kjo për faktin se, fillimisht, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është vonuar në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore të cilat përcaktojnë (i) kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe II; (ii) kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë III, (iii) procedurat dhe kërkesat për rrënim të ndërtimeve pa leje, (iv) përmbajtjen dhe kërkesat për bazën e të dhënave të legalizimit të ndërtimeve pa leje, (v) procedurat e ankesave kundër vendimeve për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe çështje të tjera të domosdoshme për zbatim të plotë të këtij ligji”.

Nrecaj ka theksuar se sipas Ligjit këto akte nënligjore Ministria është dashur që t’i nxjerrë brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa këto akte janë miratuar pothuajse me 6 muaj vonesë.

Ligji i mirë, por i dështuar

Ndërkohë ndërtimet pa leje nuk janë ndalur asnjëherë, sidomos shtëpitë individuale. Inspektorët komunalë, me përjashtim të ndonjë rasti aty-këtu në qytete, nuk kanë arritur t’i ndalojnë ndërtimet pa leje gjithandej nëpër Kosovë. Ato mund të vazhdojnë edhe tash, kur Ligji i ri nuk parashihet t’i trajtojë, pra ato që ndërtohen pas datës së hyrjes në fuqi. Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës thotë se trendi i kërkesave për leje është në rritje.

“P.sh. në vitin 2018 Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje ndërtimi për hapësirë mbi 840 mijë m2. Ndërsa këtë vit, sipas këtij trendi, pritet që sipërfaqja e metrave katrorë të proceduara në Komunë të jetë më e madhe”, ka thënë Hoxha.

Miranda Mullafazliu thotë se Drejtoria e Inspektoratit është përgjegjëse për moslejimin e ndërtimeve pa leje dhe se, sipas saj, inspektorët janë duke punuar me kapacitete të plota për të ndaluar këtë dukuri. Ndërsa Bajram Kadriu nga MMPH thotë se të gjitha ndërtimet që realizohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet të trajtohen konform Ligjit të planifikimit hapësinor dhe Ligjit për ndërtim.

Por t’i kthehemi edhe një herë Ligjit të ri që i trajton ndërtimet pa leje. Edhe pse është vlerësuar i mirë, ky ligj sipas ekspertëve nuk pritet ta përmbyllë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Megjithëse nuk e di sa do të zgjatë koha e legalizimit të një objekti, Faton Hoxha thotë se për dy vjet ky ligj është e pamundur ta përfundojë procesin e legalizimit.

“Këtë informatë nuk mund ta dimë, sepse ende nuk janë formuar ekipet nëpër drejtoritë përkatëse në komuna. Mirëpo duke u bazuar në përvojën me procese të tjera, koha prej 2 vjetësh e paracaktuar sipas ligjit është pothuajse e pamundur të realizohet dhe të përfundojë si proces”.

Edhe Albulena Nrecaj nga Organizata INPO thotë se me këtë ritëm është e pamundur të përfundojë procesi i legalizimit të objekteve pa leje.

“Afatet e përcaktuara me ligj për dorëzimin e aplikacioneve për legalizim janë 2 vjet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe po ashtu ka lenë në diskrecion të Ministrisë që këtë afat të mund ta zgjatë për dy herë radhazi, nga 12 muaj. Tashmë është bërë më shumë se 1 vit prej kur ka hyrë në fuqi ligji dhe akoma nuk kemi ndonjë përpjekje serioze nga ana e institucioneve, qoftë Ministria, qoftë komunat që të zbatojnë këtë ligj”, ka theksuar Nrecaj. “Po ashtu, sfidë në vete mbetet mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare të komunave për të përballuar kërkesat për legalizim. Në të gjithë Kosovën janë rreth 352 mijë ndërtime pa leje, dhe shumica e tyre bien nën kompetencën e komunave për t’i trajtuar. Ne vlerësojmë se ky proces duhet të shpallet prioritet nacional i Qeverisë dhe t’iu ofrohet komunave asistencë e mjaftueshme për të trajtuar obligimet e këtij ligji. Në të kundërtën, me këtë ritëm dhe me këtë angazhim të institucioneve, ky proces do të zvarritet skajshmërisht dhe ligji nuk do të prodhojë efektet e dëshiruara në praktikë”.

Mospranimi teknik i objekteve

Edhe më i ashpër është shprehur Driton Tafallari. Ai thotë se Ligji i ri do ta ketë fatin e atij të vjetrit.

“Ligji i ri për legalizimin e ndërtimeve pa leje do ta ketë fatin e njëjtë si Ligji i vjetër. Pra, do të mbetet i pazbatuar. Problemi i ndërtimeve pa leje, e këtu e kisha vendos edhe mungesën e pranimeve teknike, është ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova e pasluftës. Të gjitha partitë politike që e kanë udhëhequr Kosovën në 20 vjetët e fundit kanë dështuar plotësisht që të zgjidhin këtë problem madhor”, ka theksuar eksperti i çështje së banimit. “Siç u tha edhe më lart, sipas informatave të shpalosura nga zyrtarë të MMPH-së, në Kosovë janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje. Pothuaj të gjitha këto ndërtime i takojnë kategorisë 1 dhe 2 (kryesisht objekte banimi). Me një kalkulim të thjeshtë nëse llogarisim që përafërsisht 4 banorë jetojnë në një njësi banesore, atëherë del se rreth 1.2 milionë banorë të Kosovës jetojnë në shtëpi/banesa të ndërtuara pa leje. Pra 2/3 e kosovarëve jetojnë në banesa/shtëpi pa leje”.

Pretendimi i MMPH-së që ta zgjidhë këtë problem kolosal me vetëm nxjerrjen e ligjit dhe 5 udhëzimeve administrative, sipas Tafallarit, është qasje joserioze.

“Le ta marrim shembull Prishtinën. Pretendohet që në Prishtinë ka rreth 45.000 objekte pa leje. Me një mesatare të legalizimit të 20 objekteve në ditë, Komunës së Prishtinës do t’i duheshin rreth 10 vjet për ta zgjidhur këtë problem. Kësaj duhet shtuar se Komuna e Prishtinës as që është duke u marrë me këtë problem. Ligji i ri ka lehtësira sa i përket aplikimit të investitorëve/pronarëve, por ky nuk është problemi kyç”.

Problemi, siç thotë Driton Tafallari, është te kapacitetet e mangëta institucionale edhe në nivel qendror, edhe në nivel lokal.

“Sipas ligjit, procesin e legalizimit të objekteve të banimit dhe objekteve afariste e që përbëjnë shumicën absolute të objekteve pa leje duhet ta zhvillojnë komunat. Komunat e Kosovës nuk kanë as kapacitete njerëzore e as financiare për t’u përballur me këtë çështje. Përpos komunave, në proces janë të përfshirë edhe shumë akterë të tjerë, si 7 ministri dhe shumë agjenci dhe institute të tjera. Kjo e bën edhe më të komplikuar procesin”, ka theksuar eksperti i çështjes së banimit. “Në ligj dhe në një udhëzim administrativ kërkohet nga MMPH-ja që të krijojë dhe menaxhojë një databazë në formë të softuerit për nevojat e ndërtimeve pa leje. Edhe këtu jam shumë skeptik duke e ditur se kjo ministri ka telashe serioze me përdorimin e disa softuerëve veçse të krijuar për nevoja tjera (p.sh. baza e të dhënave për banim social dhe një softuer për planifikim hapësinor)”.

Edhe Qindra e mijëra ndërtime pa leje kanë më pak se një vit afat për legalizim Arbëri 4 v. më parë Qindra e mijëra ndërtime pa leje kanë më pak se një vit afat për legalizim

Driton Tafallari thotë se duhet një strategji shtetërore për ta zgjidhur këtë çështje.

“Për të zgjidhur këtë problem të madh duhet përkushtim i madh. MMPH si ministri e linjës për këtë çështje duhet urgjentisht të krijojë një strategji të mirëfilltë me hapa konkretë dhe duhet të ndahet një shumë e madhe e të hollave, të angazhohen ekspertë si vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe të kërkohet ndihmë nga institucione ndërkombëtare përgjegjëse për banim. Është shumë me rëndësi që të vendosen afate për këtë punë, përndryshe do të na shkojnë vitet e dekadat duke i ndërruar ligjet, thuajse ligjet i kanë fajet për këtë katrahurë me ndërtime pa leje”.