Arbëri

Procedurat problematike për legalizimin e shtëpive

Rreth 50 mijë objekte pa leje ishin evidentuar në vitin 2013 në kryeqytet. Nga to në procesin e legalizimit të atëhershëm vetëm 300 sosh ishin legalizuar.

Fajin për këtë numër të vogël i mbeti Ligjit për Trajtim të Objekteve Pa leje, raporton Koha.

Për këtë tashmë ka një ligj të ri për trajtim të ndërtimeve pa leje, i cili liroi çmimin e legalizimit në vetëm 1 euro për metër katror.

Por ndonëse u tha se ky ligj do të mundësojë legalizim me më pak dokumente, një gjë e tillë duket se nuk po ndodh.

Sërish ka pak legalizime dhe sërish banorët e kryeqytetit po hasin në probleme gjatë procesit të legalizimit.

Ligji i ri, duke iu referuar atij për Kadastër, pronat e qytetarëve i ka futur në bashkëpronësi me fqinjët e tyre.

Kjo i bie që dhjetëra shtëpi të figurojnë në vetëm një parcelë.

Si rrjedhojë, për të legalizuar shtëpinë, një qytetari i duhet të sigurojë autorizimin e dhjetëra fqinjëve të tij, proces i cili po konsiderohet si vështirë i realizueshëm.

Ilaz Sylejmani dhe Ekrem Smaili, banorë të lagjes “Kodra e Trimave” janë dy nga qytetarët që nuk po mund t’i legalizojnë shtëpitë e tyre si pasojë e këtyre procedurave që ata i vlerësojnë të komplikuara.

Këta banorë po kërkojnë që shteti t’u dalë në ndihmë për legalizimin e shtëpive të tyre, përmes largimit të këtij kriteri.

Me të njëjtin problem si Sylejmani dhe Samaili, përballet edhe fqinji i tyre Shukri Zullufi.

Ai thotë se këto procedura po i dëmtojnë edhe financiarisht.

Në Drejtorinë e Urbanizmit thonë se kjo çështje është problematike edhe për komunat e tjera.

Sipas drejtorit Ardian Olluri, po bëhet përpjekje që bashkë me Ministrinë të gjejnë zgjidhje brenda ligjit ekzistues.

Për Ollurin, një tjetër ndryshim i ligjit në këtë faze është vështirë i arritshëm.
Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka thënë se aktualisht nuk planifikon ndryshime ligjore në procesin e legalizimit, por ka paralajmëruar lehtësim të procedurave për rregullimin e pronave.

“Në bazë të takimeve të mbajtura dhe informatave qe kemi, Agjencia Kadastrale e Kosovës se fundmi ka krijuar kornizë te re ligjore duke krijuar procedura me te lehta për rregullimin e pronësisë”, është thënë nga kjo ministri.

Urbanizmi komunal ka në shqyrtim gjithsej 772 lëndë për legalizim të shtëpive.

Sipas statistikave të këtij dikasteri, 536 aplikime janë bërë në 2010-n, gjatë viteve 2015/2016 nuk ka pasur asnjë aplikim.

2019-a është mbyllur me 153 aplikime, ndërsa këtë vit deri më tani Komuna ka pranuar 83 kërkesa për legalizim të shtëpive.