2 perditesime
21:22

Abazi për targat: T’i respektojmë afatet që i kemi caktuar nëse duam të funksionojmë si shtet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, e ka quajtur të drejtë vendimin e kryeministrit Albin Kurti që të mos shtyjë afatin për konvertimin e targave që parashihet të përfundojë më 31 tetor.

Sipas tij, është parimore dhe kushtetuese të respektohet ky afat, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve.

“Vetëm për faktin që mund të kapen për fjale, mendoj se është absolutisht parimore dhe kushtetuese përbrenda idesë që ne të funksionojmë si shtet është që t’i respektojmë datat që i kemi caktuar, përfshirë një marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas Abazit, partnerët ndërkombëtarë duhet të shihen si partnerë dhe jo miq.

Ai ka thënë se me respektimin e këtij afati, është i sigurt se Serbia nuk do të pranojë të jetë prezentë në mbledhjen e 3 nëntorit në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Po rikthehet ideja që Procesi i Berlinit është platforma e vetme e barazisë në rajon drejt integrimit evropian. Nuk mendoj që dikush është më i interesuar sesa Vuçiq dhe Serbia ta godasë për herë të dytë dhe ta bëjë të dështuar idenë e Procesit të Berlinit. Jam i bindur që nuk do të pranojnë të ulen më 3 nëntor”, ka thënë ai.

20:58

Abazi tregon se si Vuçiqi do të mund ta njihte Kosovën përmes Edi Ramës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Haki Abazi, ka dhënë një ide se si presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mund të vinte deri te njohja e Kosovës, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Abazi ka thënë të mërkurën në “Sonte me Rronin” të KTV-së se kjo marrëveshje nuk do të kishte në qendër sovranitetin e plotë të Kosovës, por një lloj ridefinimi të kufijve që do të prekte edhe Bosnjën.

“Sjellja e kryeministri të Shqipërisë e vë në diskutim idenë se Vuçiqi do të mund ta pranonte idenë e një ecjeje progresive drejt njohjes së Kosovës, nëse Rama do të ishte njeriu që do ta nënshkruante marrëveshjen e që rrjedhimisht po tentohet të mbahet gjallë që kjo marrëveshje të mos ketë sovranitetin e plotë të Kosovës në qendër, por një lloj ridefinimi të kufijve e cila nuk e prek Maqedoninë e Veriut por e prek Bosnjë e Hercegovinën. Këtu është duke u sjellë i gjithë vorbulli i një ndarjeje, e cila është në linjë me atë që ka pretenduar edhe Millosheviqi, por edhe Serbia, që Kosovën e pasur ta ketë nën kontroll ndërkaq këtë pjesën tjetër, bëni çka të doni me të”, ka thënë Abazi.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për pavarësinë e Kosovës, ky proces nuk do të duhej të lejohej.

Abazi ka thënë se për shkak të dialogut, Kosova në vend se të fokusohej në shtetndërtim është fokusuar për vite në dialog.

20:55

Abazi: Njerëz të VV-së nuk gjejnë forcë të flasin kur dëgjojnë mendim tjetër

Deputeti i VV-së, Haki Abazi, u shpreh bindur se nuk do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje, por tha se nuk e di nëse Lëvizja mund të ndërmarrë një vendim për largimin e tij.

Në emisionin “Sonte me Rronin”, Abazi ka thënë se brenda subjektit politik ku ai bën pjesë nuk ka koncept gjithëpërfshirës, ndërkohë që ka treguar se si po e sheh Vetëvendosjen ai sot.

Theksoi se subjektit po i mungon “hapësira për të përplasur idetë” dhe kjo sipas tij, bënë që “njerëzit që nuk konsiderohen afër asaj vije të përcaktuar në këtë moment, lihen jashtë”.

“Këtë mandat nuk ka shanse. Kam marrë votat, jam i përkufizuar brenda programit të VV-së dhe për mua gjithmonë ka qenë e rëndësishme që sinqeriteti të jetë transparent me njerëzit. A mund të përjashtohet Haki Abazi prej VV-së, ajo varet se ku lëvizë vija e ekstremit”.

“Përbrenda nuk ka koncept gjithëpërfshirës, por ka një vijë e cila ndan. Ka një mendim që LVV-ja e përcaktuar si socialdemokrate në publik, mund të ketë rrymë që janë më afër të majtës ekstreme sesa të majtës së qendrës ku përcaktohet socialdemokracia. Kjo nuk duhet të konsiderohet me hidhërim siç mund të jetë ndonjëherë, sepse shoh njerëz të strukturës së VV-së që nuk gjejnë as forcën të flasin në rrugë kur dëgjojnë mendim tjetër”, ka thënë Abazi.

Abazi ka folur për zgjedhjen e tij në Qeverinë Kurti 1 si zëvendëskryeministër dhe në të dytën si deputet. Tha se në të dyja rastet, është befasuar.

Ai ka thënë se për shkak të shtimit të emrave nga Lista Guxo, ai është ranguar më poshtë listës së VV-së.

“Ka qenë befasi në të dyja rastet. Edhe në rastin e parë kam ardhë në VV me idenë që do t’i kontribuoj një rimëkëmbje VV-së pas goditjes së daljes së figurave të ndryshme nga VV-ja dhe dukej se VV-ja po çalonte në rimarrjen e vetes. Unë kam hyrë si një nga figurat e para pas një karriere ndërkombëtare pasi besoj se VV-ja e kryen një tranzicion. Pasi është kryer procesi zgjedhor kam marrë propozimin për zvkryeministër. Nga numri 8 kam rënë në numër 12. As që kam qenë i përfshirë në rangimin e listës por më është thënë se kemi numër njerëzish që duhet të përfshihen nga Lista Guxo, kjo është lista”.