Arbëri

Abazi kritikon qasjen vetanake dhe kokëforte të Kurtit në dialog: Politikë e ndërtuar mbi popullizmin

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që tani vepron si i pavarur në Kuvend, Haki Abazi, ka hedhur kritika për kryeministrin Albin Kurti, për siç tha ai, qasjen vetanake dhe kokëforte të tij në dialog, duke shtuar se kjo qasje është veç përsëritje e qeverive të kaluara.

Abazi ka thënë se edhe në mbledhjet e Grupit Parlamentar të VV-së i është Kurtit se ky rrugëtim në dialog është përsëritje e asaj që kanë bërë qeveritë e kaluara dhe se do të çojë në përplasje me ndërkombëtarët.

“E kam thënë gjatë mbledhjeve të GP të VV-së, drejtimi dhe pozicionimi i tij [Kurtit v.j.] kundrejt dialogut do të përfundojë kështu. Kosova do të duket shumë keq. Analizat vetanake dhe kokëforte të Kurtit do të na çonin në përplasje. Në takimin e GP-së kur është bërë një informim i lehtë sepse s’ka pasur kurrë informim tamam, i është thënë edhe Kurtit dhe Bislimit që ky rrugëtim, kjo qasje është përsëritje e qeverive të kaluara. Politika e Kurtit është e ndërtuar mbi populizmin”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Sipas Abazit, Kurti i ka lënë pa informacion se çfarë po ndodh në dialog edhe deputetët e VV-së, edhe ambasadorët, por edhe disa nga deputetët e Parlamentit Evropian që kanë qenë të kujdesshëm ndaj Kosovës.

“Mungesa e lobimit në SHBA, mosdhënia e instruksioneve të qarta të ambasadorëve në shtetet e Bashkimit Evropian për pozicionimin në dialog e mosinformimi i VV-së ka krijuar zbrazëti. Dhe loja me taktikë pa asnjë strategji, siç ishte çështja me targat. Shumica e parlamentarëve evropianë që kanë qenë të kujdesshëm ndaj Kosovës, s’ka pasur dijeni se çfarë ndodhte me dialogun. Ne [deputetët e VV-së] e kemi ndërtuar argumentin mbrojtës në ndonjë rast, por s’kemi pasur informacione”, ka thënë ai.

Me qasjen e tij në dialog, Abazi ka thënë se Kurti ka larguar nga agjenda një sërë prioritetesh siç është anëtarësimi në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s e deri te sanksionet e BE-së.

“Tani, Kosova shihet si një faktore jostabiliteti. Ne e njohim Vuçiqin, e njohim Serbisë, por e rëndësishme është se çka shkruhet sot në Berlin, Uashington, Paris”, ka thënë deputeti i pavarur.