Deputeti i VV-së, Haki Abazi, u shpreh bindur se nuk do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje, por tha se nuk e di nëse Lëvizja mund të ndërmarrë një vendim për largimin e tij.
Në emisionin “Sonte me Rronin”, Abazi ka thënë se brenda subjektit politik ku ai bën pjesë nuk ka koncept gjithëpërfshirës, ndërkohë që ka treguar se si po e sheh Vetëvendosjen ai sot.
Theksoi se subjektit po i mungon “hapësira për të përplasur idetë” dhe kjo sipas tij, bënë që “njerëzit që nuk konsiderohen afër asaj vije të përcaktuar në këtë moment, lihen jashtë”.
“Këtë mandat nuk ka shanse. Kam marrë votat, jam i përkufizuar brenda programit të VV-së dhe për mua gjithmonë ka qenë e rëndësishme që sinqeriteti të jetë transparent me njerëzit. A mund të përjashtohet Haki Abazi prej VV-së, ajo varet se ku lëvizë vija e ekstremit”.
“Përbrenda nuk ka koncept gjithëpërfshirës, por ka një vijë e cila ndan. Ka një mendim që LVV-ja e përcaktuar si socialdemokrate në publik, mund të ketë rrymë që janë më afër të majtës ekstreme sesa të majtës së qendrës ku përcaktohet socialdemokracia. Kjo nuk duhet të konsiderohet me hidhërim siç mund të jetë ndonjëherë, sepse shoh njerëz të strukturës së VV-së që nuk gjejnë as forcën të flasin në rrugë kur dëgjojnë mendim tjetër”, ka thënë Abazi.
Abazi ka folur për zgjedhjen e tij në Qeverinë Kurti 1 si zëvendëskryeministër dhe në të dytën si deputet. Tha se në të dyja rastet, është befasuar.
Ai ka thënë se për shkak të shtimit të emrave nga Lista Guxo, ai është ranguar më poshtë listës së VV-së.
“Ka qenë befasi në të dyja rastet. Edhe në rastin e parë kam ardhë në VV me idenë që do t’i kontribuoj një rimëkëmbje VV-së pas goditjes së daljes së figurave të ndryshme nga VV-ja dhe dukej se VV-ja po çalonte në rimarrjen e vetes. Unë kam hyrë si një nga figurat e para pas një karriere ndërkombëtare pasi besoj se VV-ja e kryen një tranzicion. Pasi është kryer procesi zgjedhor kam marrë propozimin për zvkryeministër. Nga numri 8 kam rënë në numër 12. As që kam qenë i përfshirë në rangimin e listës por më është thënë se kemi numër njerëzish që duhet të përfshihen nga Lista Guxo, kjo është lista”.