Lëvizja Vetëvendosje ka dal me një video të re, ku ka akuzuar pushtetet e kaluara për problemet në sektorin e energjisë në Kosovë, ndërsa ka treguar edhe për hapat që ka marrë Qeveria për t’iu përgjigjur krizës energjetike.
“Ata që e lanë sektorin e energjisë në terr është mirë që përveç energjisë të na kursejnë edhe prej zhurmës. Qeverisja e re ani pse e ka gjetur vendin ashtu siç e kanë lënë në gjendje të mjerueshme, do të jetë në ballë të detyrës për t'ju përgjigjur secilës krizë me të cilën nuk po përballemi vetëm ne por e gjithë Evropa”, thuhet në përshkrimin e Vetëvendosjes në Facebook, ku është postuar edhe video.
Në video partia në pushtet kanë akuzuar pushtete e kaluara për mosinvestim në energji e po ashtu për privatizimin e KEDS-it.
"Ata që kanë filluar të fërkojnë duart për zhurmë në dimër është mirë të fërkojnë kokën për keqqeverisjen e tyre.Prej vitit 1984 kur është ndërtuar Blloku B2 i termocentralit nuk është investuar më në kapacitetet prodhuese. Është privatizuar rrjeti i shpërndarjes KEDS-i për 26 milionë euro, është refuzuar renovimi i kapaciteteve ekzistuese prej kompanisë gjermane Bilfinger. Është nënshkruar kontrata e dëmshme me Contour Globalin që edhe dështoi. I gjithë sektori i energjisë ka qenë në rënie të lirë përpara se të vinim ne në qeverisje”, thotë Vetëvendosje. “Opozita te ne që bën zhurmë rreth kësaj krize thuajse ne e sollëm që thotë se kriza erdhi se ju nuk keni investuar, vetëm tash duket qesharake. Dimrit do të jetë e trishtë të dëgjohet kjo zhurmë e tyre. Por e rëndësishmja është që jemi të gatshëm të përballemi me këtë dimër”.