Trumpi takon Zelenskyn, thotë se do të arrihet marrëveshje për fundin e luftës
Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur optimist të martën për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Trumpi i ka bërë komentet gjatë një takimi dypalësh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në kuadër të takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
I ulur pranë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në selinë e Kombeve të Bashkuara, Trump u ka thënë gazetarëve se si Rusia, ashtu edhe Ukraina, duan që lufta mes tyre të përfundojë.
“Unë mendoj se do të arrijmë një marrëveshje. Dhe nuk dua të them se cila do të jetë marrëveshja. Kemi folur shumë për të, përfshirë edhe me presidentin Putin, dhe mendoj se diçka do të ndodhë”, ka deklaruar ai.
Trumpi ka thënë se do të ishte i gatshëm të takohej sërish me presidentin rus, Vladimir Putin, megjithëse nuk ka bërë ndonjë angazhim se ku apo kur do të zhvillohej takimi.
Ai ka shtuar se SHBA-ja po diskuton me Ukrainën për prodhimin e interceptorëve të raketave Patriot në Ukrainë.
Trump u ka thënë gjithashtu gazetarëve se do të dëshironte të ndalonte eksportet e naftës nga SHBA-ja.
“E kam kërkuar këtë”, ka thënë presidenti, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari. “Ua kam kërkuar njerëzve të mi. Kam folur për këtë”, ka shtuar ai.
Teksa qytetarët amerikanë po përballen me çmime më të larta të karburanteve përpara zgjedhjeve të mesmandatit, Trumpi po shqyrton ndalimin e shitjes së naftës jashtë vendit.
Presidenti ka thënë se i ka kërkuar sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të shqyrtojë nëse një ndalim i eksporteve mund të ndihmojë në frenimin e inflacionit.
Trumpi thotë se SHBA-ja dhe Irani janë takuar pak pas fjalimit të tij në OKB
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se zyrtarë amerikanë dhe iranianë janë takuar të martën, pak pasi në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka kërcënuar se mund ta “asgjësonte” Republikën Islamike nëse nuk arrihet së shpejti një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës gati shtatëmujore.
Trump ka konfirmuar bisedimet në një prononcim për gazetarët, por ka dhënë pak detaje mbi mënyrën se si janë zhvilluar diskutimet apo mbi përmbajtjen e takimit.
“Ishte një takim shumë i mirë”, ka thënë Trumpi.
Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme, Trump ka argumentuar se ai ka treguar vendosmëri, ndërsa liderët e tjerë kanë hezituar, teksa ka mbrojtur vendimin e tij për të nisur luftën me Iranin.
Por Trumpi ka sugjeruar gjithashtu se mund të jetë në një pikë vendimtare në këtë konflikt, edhe pse i ka bërë thirrje Republikës Islamike të rihapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit dhe të rikthehet në tryezën e negociatave për të gjetur një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit.
“Kam një vendim të madh për të marrë”, ka thënë Trump. “A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që do t’i lejojë atij të rindërtohet dhe të krijojë një vend shumë më të madh se sa ka qenë ndonjëherë më parë, ndoshta një nga vendet më të mëdha në Lindjen e Mesme, apo edhe në botë? Apo do ta asgjësoj Republikën Islamike dhe do ta bëj këtë shpejt, pa u dhënë kurrë mundësinë të vrasin dhe shkatërrojnë përsëri njerëz dhe vende?”, ka deklaruar ai.
Takohen Trump dhe Burnham, presidenti amerikan lavdëron kryeministrin e ri britanik
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri britanik, Andy Burnham, janë takuar të martën për herë të parë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në New York.
Gjatë takimit, Trumpi ka lavdëruar kryeministrin e ri britanik, për të cilin ka thënë se është më i mirë se ish-kryeministri, Keir Starmer.
Donald Trumpi është treguar i sjellshëm dhe respektues gjatë pjesës më të madhe të konferencës së shkurtër për shtyp që ka mbajtur me Andy Burnhamin, por drejt fundit nuk mundi t'i rezistonte një thumbimi ndaj Starmerit.
I pyetur për marrëdhëniet SHBA-Mbretëri e Bashkuar nga një gazetar, i cili ka vërë në dukje se ato kishin pasur ulje-ngritje, Trumpi është përgjigjur: Jo, unë mendoj se ato janë në nivel të lartë.
“Janë në nivel më të lartë tani sesa ishin me kryeministrin tuaj të fundit, le ta themi kështu”, ka deklaruar ai.
Dikur, marrëdhënia midis Trumpit dhe Starmerit ishte e mirë.
Por ajo është përkeqësuar kur Starmeri filloi ta kritikonte publikisht Trumpin për çështje të tilla si propozimi i tij për të aneksuar Grenlandën dhe pretendimi se trupat britanike shmangnin luftimet në vijën e parë të frontit në Afganistan.
Dhe shkëputja e plotë ka ndodhur kur Keir Starmeri refuzoi t'i lejonte SHBA-së përdorimin e bazave ajrore britanike për sulme kundër Iranit në fillim të luftës.
Erdogani kritikon Evropën, thotë se Turqia po thellon bashkëpunimin me Ballkanin
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të martën në fjalimin e tij në OKB se Turqia ka lidhje historike dhe kulturore me Ballkanin dhe se po vepron për ta thelluar bashkëpunimin me këtë pjesë të Evropës.
“Ballkani është një rajon me të cilin kemi lidhje të forta historike dhe kulturore, po ndërmarrim hapa të përbashkët për të thelluar bashkëpunimin me ta”, është shprehur Erdogani.
Ai ka përmendur rëndësinë e Turqisë në stabilitetin rajonal teksa ka shtuar se një Evropë që përjashton Turqinë nga arkitektura e saj e sigurisë, s’mund të jetë e fortë dhe e sigurtë.
“Turqia, falë rritjes së saj të industrisë së mbrojtjes dhe falë ekonomisë së saj elastike, vazhdon të jetë një ishull i stabilitetit në mes të konflikteve në afërsi të saj. Si pjesë integruese e Evropës, shteti jonë luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien dhe sigurinë e kontinentit evropian. Samiti i NATO-s i mbajtur në Ankara në korrik, tregonte përkushtimin tonë për sigurinë tonë të përbashkët... Një Evropë që përjashton Turqinë nga arkitektura e saj e sigurisë, nuk mund, dhe më lërni ta them këtë qartë, nuk mund të jetë më e fortë ose më e sigurtë”, ka deklaruar Erdogan.
Nënshkruhet marrëveshja SHBA-Danimarkë-Grenlandë për sigurinë në Arktik
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar marrëveshjen me Danimarkën dhe Grenlandën që synon forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, duke lehtësuar tensionet mbi thirrjet e tij të përsëritura që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Nënshkrimi të martën në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York vjen disa ditë pasi Trumpi njoftoi marrëveshjen për të forcuar praninë ushtarake amerikane në ishullin e madh të akullt, por ta mbajë atë nën kontrollin danez.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka thënë se marrëveshja "përfaqëson një moment historik" në bashkëpunimin afatgjatë të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara.
"Kjo marrëveshje është e mirë për Shtetet e Bashkuara, është e mirë për Grenlandën, Danimarkën, për aleancën e NATO-s dhe, rrjedhimisht, edhe për Evropën”, ka thënë ajo në fjalën e saj para se liderët e të tri vendeve ta nënshkruanin atë.
Ndërkaq, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen ka deklaruar gjatë nënshkrimit se marrëveshja "merr parasysh popullin e Grenlandës, të drejtat tona, mjetet tona të jetesës dhe zhvillimin e vendit tonë".
Nielsen ka shtuar se kjo kishte qenë një përparësi kyç për Grenlandën gjatë gjithë procesit, i cili u shoqërua me tensione lidhur me synimet e Trumpit për këtë territor gjysmë-autonom të Danimarkës.
Marrëveshja pritet t'i japë ushtrisë amerikane një prani më të madhe në Grenlandë, edhe pse ajo nuk shkon deri te kontrolli i plotë mbi ishullin që Trumpi kishte kërkuar pasi u rikthye në detyrë.
Për muaj të tërë, Trumpi ka shprehur dëshirën e tij që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe ka lëshuar kërcënime për të sekuestruar territorin gjysmëautonom nga Danimarka, një aleat i NATO-s.
Trumpi i jep emër të ri Inteligjencës Artificiale
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë një emër të ri Inteligjencës Artificiale, gjatë fjalimit të tij të martën në sesionin e 81-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Ai ka thënë se Inteligjenca Artificiale duhet të quhet “Super-Inteligjencë”.
Ai ka deklaruar më parë se kushdo që fiton garën e Inteligjencës Artificiale, fiton gjithçka, dhe është kategorikisht kundër rregullimit të saj.
Të njëjtim qëndrim e ka mbajtur edhe gjatë fjalimit të tij para qindra liderëve botërorë.
Trumpi në OKB: Kam një vendim të madh për të marrë lidhur me Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka një "vendim të madh për të marrë" lidhur me rifillimin e sulmeve ndaj Iranit.
"A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që i lejon ata të rindërtojnë dhe të krijojnë një vend shumë më të madh se ç'ka qenë ndonjëherë më parë?", ka pyetur Trumpi.
"Apo do ta asgjësoj Republikën Islamike dhe ta bëj këtë shpejt, duke mos u dhënë kurrë mundësinë që të rasin e të shkatërrojnë njerëz dhe vende sërish?", ka shtuar ai.
Trumpi ka vazhduar duke pyetur se: “A t'i dërgoj ata në ferr?”.
Trumpi ka thënë se beson se Teherani do të "arrijë një marrëveshje menjëherë pas zgjedhjeve" të mesmandatit që mbahen më 3 nëntor.
Ai ka folur edhe për luftën në Ukrainë për të cilën ka thënë se do t'i japë fund shumë shpejt.
Trumpi e paraqet veten si udhëheqës që “solli paqen”, ndërsa të tjerët vetëm flisnin për të
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur fjalimin e tij të së martës duke argumentuar se, ndërsa udhëheqës të tjerë kanë folur për paqen, ai është dikush që e ka "sjellë paqen".
"Si president i kombit më të jashtëzakonshëm në histori, nuk kam asnjë interes të lejoj që rreziqet të shtohen edhe për një ditë tjetër”, ka thënë Trumpi, duke iu përmbajtur me përpikëri tekstit të përgatitur për fjalimin e tij.
"Pra, ndërsa të tjerët kanë folur, unë kam vepruar. Ndërsa të tjerët kanë folur për paqen, unë kam sjellë paqen. Ndërsa të tjerët i kanë shpërfillur kërcënimet, unë u jam kundërvënë atyre. Ndërsa të tjerët kanë folur për guximin, Amerika e ka treguar atë. Ndërsa të tjerët kanë premtuar forcë, unë e kam përdorur atë për ta bërë Amerikën vendin më të fuqishëm në botë”, ka deklaruar Trumpi.
Presidenti ka thënë se nuk kishte "shembull më të mirë" të një kërcënimi të tillë, dhe të përballjes së Amerikës me të sesa Irani".
"Nuk ka shembull më të mirë të një rreziku, të cilit iu lejua të forcohej duke vënë në rrezik botën, sesa sponsori numër një i terrorit, Republika Islamike e Iranit”, ka thënë Trumpi.
AP: Trumpi u flet liderëve botërorë në OKB, por audienca e tij janë votuesit amerikanë
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nisur nisi fjalimin e tij të martën në Kombet e Bashkuara me një ton fushate zgjedhore, duke lënë mënjanë çështjet e politikës së jashtme për t'u përqendruar te rezultatet e tij të brendshme në ekonomi, imigracion dhe kriminalitet.
"Mund t'ju them me krenari se Amerika është rikthyer dhe vendi ynë është më i fortë se kurrë më parë," tha Trump.
"Teknologjia jonë është e pakrahasueshme dhe ne jemi liderë në pothuajse çdo fushë”, ka shtuar ai.
Trumpi ka folur për ecurinë e tregut të aksioneve në SHBA, uljen e shkallës zyrtare të varfërisë në vend, përpjekjet e tij për të ndalur kalimet e paligjshme në kufirin jugor dhe uljen e shkallës së krimeve të dhunshme në qytetet amerikane.
Ai po ashtu ka folur për Iranin duke ritheksuar se “asnjëherë nuk do ta lejojë këtë vend që të ketë armë bërthamore”.
Guterres në fjalimin e fundit si udhëheqës i OKB-së: Vijat e çarjes në botën tonë po zgjerohen
Antonio Guterres, ka hapur të martën punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me fjalimin e tij lamtumirës si sekretar i Përgjithshëm i organizatës.
Duke folur para një numri të madh liderësh botërorë të cilët janë mbledhur në New York këtë javë, Guterres ka thënë se po zgjerohet çarja nëpër botë.
"Çarjet janë shndërruar në kanione...Janë hapur ndarje gjeopolitike dhe pabarazitë janë thelluar”, është shprehur ai.
Në fjalimin e tij, Guterres ka theksuar rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale, mes shqetësimeve në rritje për këtë teknologji të diskutueshme, si dhe rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike.
"Njerëzit po ua kalojnë gjithnjë e më shumë pushtetin makinerive, ndërsa agjentët artificialë po dalin jashtë kontrollit”, ka thënë ai.
Armët autonome me inteligjencë artificiale po kalojnë nga "fantashkenca në realitetin ushtarak", ka shtuar ai.
"Megjithatë, institucionet dhe sistemet tona të qeverisjes vazhdojnë të pasqyrojnë realitetet e pushtetit dhe interesat e një epoke që i përket kryesisht së shkuarës”, ka thënë ai.
Pas tij fjalim do të mbajë presidenti i Brazilit, Lula da Silva.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të mbajë fjalim pas da Silvas, ndërsa në agjendën e sotme përfshihen gjithashtu presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ndërkohë, Trumpi do të zhvillojë takimin e tij të parë ballë për ballë me kryeministrin britanik, Andy Burnham, i cili ka shprehur shpresën se të dy mund të gjejnë një "gjuhë të përbashkët".
Ndërkohë një burim i ka thënë CNN-it se Trumpi u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të organizojë një takim me zyrtarë iranianë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nëse "kushtet janë të përshtatshme".
Nuk është planifikuar ndonjë takim me delegacionin e Iranit, por SHBA-ja është e hapur për një takim të tillë, ka deklaruar edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Përshkallëzohet konflikti Mamdani-Netanyahu para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Para udhëtimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, konflikti mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe kryetarit të bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, është rikthyer sërish.
Të martën, Netanyahu ka publikuar një video në rrjetet sociale ku akuzonte Mamdanin se e mbështet Hamasin dhe se "nxit trazira kundër hebrenjve të New Yorkut".
Netanyahu ka deklaruar po ashtu se do të shkojë në OKB "për të thënë të vërtetën rreth ushtarëve tanë heroikë dhe për të thënë të vërtetën rreth jush".
Netanyahu e ka përdorur tashmë Mamdanin në fushatën e tij zgjedhore, përmes një billbordi ku shkruhej: "Ata duan që Netanyahu të humbasë. Mos i lini të fitojnë”.
Një ditë më parë, Mamdani i ka intensifikuar kritikat ndaj Netanyahut, duke e quajtur kriminel lufte, ndonëse e ka pranuar se nuk e ka autoritetin për ta arrestuar liderin izraelit gjatë qëndrimit të tij në New York, një veprim që ai kishte premtuar ta kryente gjatë fushatës për kryetar bashkie.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest për Netanyahun dhe liderë të tjerë izraelitë në vitin 2024, por SHBA-ja nuk është anëtare e kësaj gjykate dhe e ka bërë të qartë se nuk do ta arrestojë Netanyahun.
Netanyahu dhe Mamdani kanë rivalitet të gjatë dhe publik.
Arritja e Netanyahut në New York për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të enjten, pritet të shkaktojë protesta.
Dy luftëra dhe inteligjenca artificiale, në fokus të Asamblesë së OKB-së
Këtë javë, dhjetëra liderë botërorë do të mblidhen në zyrat e Kombeve të Bashkuara në New York, ku do të organizohet sesioni i 81-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Diskutimet në New York pritet të sillen rreth disa çështjeve, por fokusi do të jetë në dy luftërat që kanë lëkundur botën dhe në inteligjencën artificiale. Pikë më e nxehtë do të jetë ajo e luftës në Lindjen e Mesme, mes SHBA-së dhe Iranit. Lufta në Ukrainë do të jetë temë tjetër që pritet të marrë vëmendjen dhe hapësirën e diskutimeve.
Asambleja u themelua më 1945, në të njëjtin vit me OKB-në dhe është organi kryesor diskutues, hartues politikash dhe përfaqësues i organizatës.
Në të, ndër folësit e parë do të jetë presidenti amerikan, Donald Trump. Para tij do ta kenë fjalën sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.
Pas Trumpit në sesionin e mëngjesit, sipas kohës në SHBA, do të flasin presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ai francez, Emmanuel Macron.
Gjithsej në këtë sesion do të flasin 13 liderë.
Sipas kohës sonë lokale, diskutimet do të nisin rreth orës 15:00.
Për të marrë pjesë në javën e Nivelit të Lartë të këtij sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për në New York kanë udhëtuar kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Por, ata nuk mund t’i adresohen Asamblesë, meqë Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Takime pritet të zhvillojnë vetëm në margjina të kësaj ngjarjeje.