Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se ka vizion të qartë se si do të duket sistemi shëndetësor në Kosovë pas pesë apo dhjetë vjetëve, përmes një strategjie afatmesme dhe afatgjatë që e kanë hartuar.
Në një konferencë për shtyp të premten së bashku me eurodeputetin Lukas Madl, Latifi ka thënë se për 23 vjet është bërë një farë progresi në sistemin shëndetësor, por sipas tij, ka ende nevojë për t’u plotësuar.
“Përderisa ka pas një farë progresi për 23 vjet, ende ka nevoja për t’u plotësuar. Pabarazia në shëndetësi, infrastruktura spitalore, mungesa e avancimit teknik, ekspertizës klinike dhe disa çështje legjislative janë disa prej nevojave. Si pasojë e këtyre faktorëve, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë po kërkojnë kujdes shëndetësor jashtë vendit. Ne kemi bërë analizë, kemi krijuar strategji afatmesme dhe afatgjatë të bazuara në nevojat e sistemit shëndetësor të Kosovës. Ne kemi vizion të qartë se si do të duket sistemi shëndetësor pas 5-10 vjetëve të ardhshme”, ka thënë Latifi.
Ai ka thënë se përmes shtatë shtyllave që ka prezantuar më herët do të synojë ta përmirësojë gjendjen në sistemin shëndetësor.
Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore; Kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi; Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike; Kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese; Proceset e akreditimit ndërkombëtar; Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe- Decentralizimi i sistemit spitalor dhe ri-organizimi i ShSKUK/QKUK, janë shtatë shtyllat përmes së cilave Latifi synon ta përmirësojë gjendjen në sistemin shëndetësor të Kosovës e për të cilat thotë se veçse ka filluar punën.
Latifi ka thënë se përmes diplomacisë mjekësore po kërkojnë të kenë partneritet solid me Evropën dhe botën.
Ministri i Shëndetësisë në fund falënderoi eurodeputetin Mandl për vizitën në Prishtinë.
“Me miq si ju ne mund të bëjmë hapa të shpejtë në standarde evropiane, sidomos në shëndetësi”, ka thënë ai.