Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Vitia: Kam drojën se do të vazhdojë ikja e mjekëve

Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa përmendi disa nga të arriturat e vitit të kaluar në shëndetësi, ka thënë se bazuar në programin kombëtar për zhvillim 2024-2026, sektori i shëndetësisë, synon dy qëllime strategjike, të cilat përfshijnë përmirësimin e cilësisë dhe qasjes së shërbimeve shëndetësore, si dhe ruajtjen e përparimin e shëndetit.

Vitia këtë e tha në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, derisa foli për planin dhe prioritetet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2024.

Ministri Vitia është pyetur nëse ka një strategji për t’i ndal mjekët dhe specializantët nga ikja nga Kosova.

“Në shkurtin e 2023-s, mendoj që ka qenë rritja më substanciale për mjekët specialistë, kjo ka qenë e para në këtë funksion, sa i përket kushteve të punës, po në QKUK janë duke u bërë transformime rrënjësore në shumë prej klinikave të cilat kanë pas nevojë që të investohet për shumë vjet me radhë, në anën tjetër specializantët të cilët gjatë vitit 2020, kanë marrë specializime me vetëfinancim, ka vazhduar subvencionimi i vazhdueshëm i tyre përkundër që kanë nënshkruar një kontratë ku ata pranojnë që ata vet t’i bartin shpenzimet e këtij specializimi, por një gjë e kam vërejtur është që ky migrim është i pashmangshëm, po vazhdon edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor por po vazhdon edhe në vende si Gjermania duke ikur në Zvicër dhe ky është një fenomen që ne përkundër të gjitha masave që i kemi marrë në përmirësimin e rrogave, shtesave, kushteve, pajisjeve, kam drojën që do të vazhdojë. Ideja është që ne duhet të bëjmë planifikime duke u bazuar edhe në këtë drejtim”, tha ai.

Vitia tha se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, hartimi i protokollove klinike, parapërgatitjet dhe matjet për sistemin e sigurimeve shëndetësore, janë në proces. Ai shtoi se vendosja e standardeve për sigurinë e barnave dhe përballueshmërinë e çmimit të tyre është në fazën e fundit.

Përveç këtyre, Vitia përmendi se janë siguruar tri vaksina të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke përfshirë edhe vaksinën HPV për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës.

Ndërkaq, diskutime rreth Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) e shërbimeve pati ndërmjet anëtarit të komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe ministrit Vitia, ku u tha se përgjatë disa viteve janë shpenzuar miliona euro, por që nuk është bërë zgjidhje.

Haxhiu tha se nuk mund të flitet as për shëndetësi moderne e bashkëkohore derisa nuk kemi sigurime shëndetësore, derisa shtoi se listat e pritjes vazhdojnë të jenë prezente.

Ai potencoi se nga ministri Vitia po përmenden vetëm renovimet, ndërkaq nuk ka rritje të shërbimeve.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se edhe pas katër vitesh qeverisje, nuk ka përmirësime sa i përket sigurimeve shëndetësore, ligjit për shëndetësi, reformimit në sistemin shëndetësor e të tjera.

Ndërkaq, lidhur me këto, ministria Vitia tha se renovimet nuk janë duke u bërë vetëm sipërfaqësisht, por në mënyrë rrënjësore. Vitia tha se ngecja dhe mos funksionalizmi i Sistemit Informativ Shëndetësor ka ardhur si pasojë e mungesës së një analize të mirëfilltë, për çka shtoi se po punohet vazhdimisht në këtë proces.

“Renovimet nuk janë duke u bërë vetëm me lyerje ose vetëm me fasada qysh janë munduar disa t’i paraqesin. Janë ndryshime rrënjësore të cilat janë duke u bërë…Problemi kryesor në klinikat tona kirurgjike kanë qenë infeksionet post operative me këto investime po bëhet një reformë e thellë në gjithë bllokun operativ…Lista të pritjes ka akoma, i dhatë dy opsione por fatkeqësisht është edhe një opsion tjetër zotri Haxhiu, po në vitin e kaluar ka pasur rekord të stentimeve dhe koronarografive, rekord. Mirëpo, lista e pritjes është po aq sa ka qenë, me pak ulje në raport me para një viti. Arsyeja pse më herët është prezantuar që nuk ka listë të pritjes jemi dëshmitare dhe nuk kemi harruar se kjo ka ndodhur ne një kohë jo shumë të gjatë nga dita apo data kur po flasim. Rrethi i Prishtinës ka vluar nga shume klinika private që janë marrë me kardiologjinë invazive…Secili pacientë që ka shkuar dhe nuk ka mundur te marrë brenda një kohe të caktuar në QKUK shërbimin, menjëherë është adresuar tek këto klinika…Tash siç jeni dëshmitarë një numër i madh, shumica e tyre janë mbyllur…Sa i përket Sistemit Informativ Shëndetësor zotri Haxhiu ke plotë të drejtë ju thatë se që nga viti 2006 janë harxhuar me miliona euro dhe nuk kemi pasur përfundimin për të pasur një Sistem Informativ Shëndetësor përkundër shumë viteve të kaluara dhe shumë investimeve të bërë më aspektin material. Kjo po besoj që ka ndodhur për shkak të mungese të një analize”, tha Vitia./ KosovaPress

Artikuj të ngjashëm