Arbëri

Për tre vjet QKUK-së i kanë ikur 20 për qind të anesteziologëve

Për të qenë plotësisht funksional Shërbimi i Anesteziologjisë në QKUK duhet të punojnë 120 anesteziologë. E aktualisht ky institucion i ka 48. Viti 2022 është viti me numrin më të madh të largimeve. Vetëm gjatë shtatorit janë larguar pesë anesteziologë. Zëvendësimi i tyre nuk mund të bëhet, meqë asnjë mjek anesteziolog në Kosovë nuk është i papunë. Me ikjen e mjekëve anesteziologë rrezikohet funksionimi i gjithë QKUK-së

Arteria kryesore e shëndetësisë publike - shërbimi anesteziologjik është vënë në rrezik, meqë mjekët specialistë të kësaj fushe vazhdojnë ta braktisin QKUK-në. Aktualisht mjekë të papunë të këtij profili nuk ka në Kosovë, gjë që e bën të pamundur zëvendësimin e të larguarve.

Largimi i theksuar i mjekëve nga QKUK-ja, sipas një liste të siguruar nga KOHA, ka filluar nga viti 2020, kur ky shërbim ka mbetur pa pesë anesteziologë – njëri ka ndërruar jetë dhe katër të tjerë braktisën institucionin. Gjatë vitit 2021 tre anesteziologë janë pensionuar e tre të tjerë janë larguar nga QKUK-ja. Në vitin 2022 shifrat janë bërë më të frikshme. Brenda nëntë muajve të këtij viti tetë anesteziologë janë larguar, një ka vdekur dhe një tjetër është pensionuar.

Sipas listës së siguruar nga KOHA, këtë muaj pesë nga ta kanë njoftuar për largimin. Largimin nga kjo klinikë e kanë paralajmëruar edhe tre mjekë të tjerë, por ende nuk kanë paraqitur dorëheqje zyrtare.

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija, ka thënë së nuk mund të flasë për largimet e paralajmëruara, por ka folur për pasojat në sistemin shëndetësor të largimeve tashmë të zyrtarizuara. Për momentin QKUK i ka vetëm 48 anesteziologë.

“Ka, por nuk ka ende diçka zyrtare. Në momentin që po i zyrtarizojnë me fletëdorëheqje atëherë po duhet me i zyrtarizu... Në 2019 i kemi pasur 64, prej 2020 veç numri ka filluar të zvogëlohet. 120 është numri i nevojshëm për të funksionuar Klinika e Anestezionit. Kërkesën e kemi bërë. Ministria është e njoftuar, ata janë të interesuar, por nuk ka specialistë anesteziologë që janë dukë pritur për punë”, ka thënë Gazmend Spahija, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë.

Jo vetëm mjekët anesteziologë po ikin nga QKUK-ja.

Në konkursin e fundit Ministria e Shëndetësisë ua kishte ndarë specializimin në këtë fushë 44 mjekëve. Deri tani këtë mundësi e kanë braktisur 11 prej tyre. Edhe sikur asnjëri nga specializantët të mos largohet, ky numër nuk i mbulon nevojat për anesteziologë në Kosovë.

“Në momentin kur është hapur konkursi, 44 janë pranuar, 4 e kanë lëshuar menjëherë, nuk kanë ardhur fare, dhe 8 specializantë kanë shkuar jashtë. Ka edhe disa specializantë që janë në procedurë, por numrin e tyre të saktë nuk e di”, ka deklaruar Gazmend Spahija.

Përderisa mjekët po ikin nga shëndetësia publike, numri i shërbimeve ku nevojiten anesteziologë është rritur. Kështu viteve të fundit është funksionalizuar Strok Center, e shërbimi i Brahiterapisë, të dyja këto kërkojnë anesteziologë shtesë.

Shërbimi i Anesteziologjisë konsiderohet shërbimi kyç i një qendre spitalore. Kjo për shkak se një pjesë e madhe e ndërhyrjeve bëhet me dhe nën mbikëqyrjen e anesteziologëve.

Anesteziologët, ndër të tjera, u mundësojnë pacientëve mbështetje me oksigjen dhe terapi me oksigjen, mbështetje me ventilatorë me aparate me të gjitha opsionet për ventilim mekanik, terapi respiratore, monitorim të tërësishëm invaziv dhe joinvaziv, etj.

Anesteziologët nën kujdesin e përgjithshëm intensiv trajtojnë edhe pacientët e sëmurë në gjendje kritike (të operuar dhe jo të operuar), të cilët kanë çrregullim të rëndë të funksioneve vitale dhe kanë nevojë për trajtim të veçantë.

Dyzet e tetë anesteziologë, sa kanë mbetur në shërbim, janë të angazhuar për 40 njësi punuese, tri njësi intensive dhe emergjencë. Reduktimi i personelit bën që të rritet trysnia mbi ta. Krahasuar me vitet deri më 2019, kur një anesteziologu i ishte dashur të kujdestaronte një herë në tetë ditë, tani në disa klinika një anesteziolog detyrohet të kujdestarojë 24 orë çdo katër ditë.

Për katër vjet, 400 mjekë janë larguar nga Kosova

Nga Kosova nuk po ikin vetëm anesteziologët. Gjatë katër vjetëve të fundit mbi 400 mjekë të Kosovës e kanë lënë vendin për të punuar në shtetet e Evropës. Ikja nga vendi arsyetohet se po bëhet për shkak të pagave të vogla dhe kushteve jo të mira të punës. Qeveria e Kosovës këtë vit ka miratuar vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim duke filluar nga janari deri në gusht të këtij viti. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, para kabinetit qeveritar kishte thënë se duke pasur parasysh migrimin e mjekëve dhe pandeminë COVID-19 kjo është çështje me prioritet.

“Me qëllim të stimulimit të stafit shëndetësor, sidomos duke pasur parasysh trendin e migrimit të mjekëve tanë dhe pandeminë COVID-19, Ministria e Shëndetësisë e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin”, ka thënë ai.