Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë: Deri në vitin 2023 do të largohen edhe 1500 infermierë

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së përmes një komunikate për media ka thënë se është duke e përcjellë me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga QKUK-ja, e në veçanti të infermierëve.

Sipas kësaj sindikate, A.G., L.I., G.S., K.D., V.I., G.K., janë vetëm disa nga mbi 500 infermierët e larguar nga Kosova vetëm gjatë këtij viti.

Bëhet e ditur se në përgatitje që të largohen gjatë vitit 2023 janë edhe rreth 1500 infermierë.

“Padyshim që meritojnë një vëmendje institucionale, mirëpo edhe përpjekje serioze dhe maksimale për të ngadalësuar këtë trend, duke ofruar kushtet për punë por edhe ngritje pagash. Janë pikërisht infermierët e Mjekimit Intensiv, Teknikët e Anestezionit, Instrumentarët, infermierët e Qendrës Emergjente, ndërsa në përgjithësi infermierët kualitativ dhe me eksperiencë ata që po targetohen dhe rekrutohen nga punëdhënësit e huaj, ndërsa ikja e tyre do i vendoste para kolapsit total secilën nga këto klinika të lartpërmendura, pasi janë pikërisht këta profesionist që i mbajnë këto klinika ‘Up and Running’ pavarësisht mungesës së mjekëve”, thuhet në njoftim.

Sipas sindikatës, roli i tyre është kyç në funksionimin normal të punës.

“Andaj në vend të presionit, shtypjes, degradimit personal dhe profesional, të krijohen kushte të sigurta dhe më të mira pune, të respektohen këta profesionistë dhe roli i tyre, t’u njihet puna dhe angazhimi si dhe të respektohen si profesionistë shëndetësorë, të mos zhvendoset fokusi i tyre nga kujdesi për qytetarin në fushën administrative dhe korrieri. Urojmë që Qeveria, Ministria përkatëse të reflektojë, ndërsa urojmë që edhe nga këta profesionistë mos të largohen nga Kosova, sepse atëherë do shihet vërtetë kolapsi në këto klinika, ndërsa të njëjtit nuk kanë mundësi të zëvendësohen, pasi një profesionist i tillë nuk krijohet brenda muaji, e në anën tjetër qytetarët do e pësojnë më së shumti”, thuhet tutje në njoftim.