Arbëri

Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Termocentrali

Foto: Ilustrim

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike.

ME-ja ka thënë se fal bashkëpunimit me Shqipërinë, mes KEK-ut dhe KESH-it, është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe do të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji.

ME-ja ka bërë thirrje për kursim të energjisë.

“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike. Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, thuhet nga Ministria e Ekonomisë.

Ndërkaq Korporata Energjetike e Kosovës përmes një postimi në Facebook ka thënë se bashkëpunimi me KESH po tregon rezultate pozitive në tejkalimin e krizës energjetike.

Sipas njoftimit, KEK-u deri më tani ka depozituar mbi 120,000 MWh energji elektrike në KESH, kjo me qëllim të zbutjes së kërkesës në ngritje për energji elektrike në Shqipëri.

“Duke qenë se sot konsumi vendor në Kosovë ka shënuar ngritje në orë të caktuara (në kohë të pikut), KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta me ç’rast nga ora 14:00h janë siguruar 100 MWh/h nga energjia e depozituar e KEK-ut në KESH dhe paralajmërimi për reduktime u ndalua. Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes KEK dhe KESH çdo ditë e më shumë po tregon rezultatet pozitive në tejkalimin e krizës energjetike nga ku përfitues janë qytetarët e të dyja vendeve”, thuhet në postim.