Arbëri

PDK-ja kërkon nga Qeveria “të përmbahet prej guximit” për shtrenjtim të rrymës

Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë Kurti se është prapa kërkesës së KESCO-s për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale.

Të martën, Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi se ka pranuar kërkesën nga KESCO për të shtrenjtuar sërish tarifat e rrymës.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, “kjo është faza e parë e përpjekjes së qëllimshme dhe të sinkronizuar të pushtetit të Albin Kurtit, që të lejojë rritjen e serishme të çmimit të energjisë elektrike, duke ua shtuar e shumëfishuar këtë barrë të padrejtë qytetarëve”.

Tahiri ka thënë se guximi për të shtrenjtuar edhe më tej energjinë “është iluzion i këtij pushteti që i sheh qytetarët si të nënshtruar përballë tij dhe në funksion të tij”.

“Kjo mësymje në kurriz të qytetarëve, përveç që është papërgjegjësi, është edhe irracionalitet. Ftoj pushtetin që të përmbahet nga një ‘guxim’ i tillë, sepse qytetarët janë duke e prekur fundin e mundësive të tyre për të mbijetuar në rrethanat aktuale. Çdo përpjekje për të shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike e për t’ua shtuar këtë barrë qytetarëve, do të hasë në kundërshtimin tonë të plotë dhe të pakompromis”, ka shkruar Tahiri në Facebook të martën në mbrëmje.

Në shkurt, ZRRE-ja pati shtrenjtuar tarifat për shkak të ngritjes së çmimit të rrymës së importuar. Qeveria pati ndarë mbi 100 milionë euro, ndërsa KESCO është ankuar se nuk janë distribuuar mjetet e zotuara dhe se është në rrezik financiar. PDK-ja pati çuar në gjykatë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës. Gjykata Themelore dhe Apeli patën vendosur për pezullim të vendimit, ndërsa Supremja hodhi poshtë vendimet e shkallëve të para.