Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka kërkuar nga Qeveria Kurti dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të ulin çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
Ismaili, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën ka thënë se faturat e dyfishuara ose të trefishuara mujore, apo edhe më të larta të energjisë elektrike që i kanë pranuar qytetarët gjatë kësaj jave, janë të padrejta dhe të papërballueshme.
“Andaj, është kërkesë imediate që Qeveria, bashkë me ZRRE-në të fillojnë urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjitha akterët që kanë abuzuar me situatën në sektorin e energjisë. Sepse, vazhdimi i faturimit të energjisë me tarifat aktuale do të jetë rrënues për familjet në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Ismailit, ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët para një vështirësie të madhe financiare, duke ua shpenzuar buxhetin familjar para festave dhe duke i futur në borxhe familjet kosovare vetëm që ta përballojnë muajin.
“Këtë muaj, pamë një politikë të Qeverisë kinse për të ndihmuar qytetarët. Ato 58 milionë euro që u ndanë si subvencione nga Qeveria për fëmijë dhe pensionistë, po dëshmohet se në fakt kanë qenë mjete të ndara për KEDS-in. Qytetarët vetëm janë përdorur si ndërmjetësues në këtë transaksion të planifikuar. Faturat e stërrritura të energjisë janë dëshmi e kësaj politike të dëmshme dhe manipuluese. Në kohën kur qytetarët e Kosovës, nën këtë qeveri, janë varfëruar edhe më shumë, me 19% te tyre nën pragun e varfërisë, ata po detyrohen të paguajnë edhe faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike”, ka shtuar ai.
Ismaili ka folur edhe për dy deklarata të kryeministrit Albin Kurti, të cilat ai i ka quajtur kontradiktore, “atë të vitit 2015 se qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike, si dhe atë të vitit 2022 se aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë”.
“Ani pse e kanë të njëjtin burim, këto dy deklarata shpërfaqin jo vetëm ndryshimin nga opozita në pushtet, por dhe qëllimin e kësaj Qeverie për të dyfishuar çmimin e energjisë për qytetarët e Kosovës. Pra, ekziston një përgjegjësi e drejtpërdrejtë qeveritare për situatën e vështirë në të cilën sot janë qytetarët tanë, të cilat vijnë si rrjedhojë e skandaleve dhe politikave të kësaj Qeverie në energji”, ka deklaruar Ismaili.