Arbëri

ZRRE-ja vendos brenda dy javësh rreth shtrenjtimit të rrymës

KEDS, rryma, faturat, KESCO

Burime të KOHËS përbrenda ZRRE-së kanë bërë të ditur se po qe se kërkesa e KESCO-s pranohet, atëherë tarifat e rrymës mund të rriten për 20 për qind. Kërkesa e KESCO-s është justifikuar me mosdisbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare

Brenda dy javësh, Zyra e Rregullatorit të Energjisë pritet që të dalë me një vendim lidhur me rritjen apo jo të tarifa të energjisë elektrike, pas pranimit të aplikacionit nga KESCO-ja të martën për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tyre.

Burime të KOHËS përbrenda ZRRE-së kanë bërë të ditur se po qe se kërkesa e KESCO-s pranohet, atëherë tarifat e rrymës mund të rriten për 20 për qind. Kjo kërkesë e KESCO-s është justifikuar me mosdisbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas një njoftimi për medie nga ZRRE-ja, KESCO-ja ka njoftuar se aktualisht është duke operuar nën kosto.

“Sipas FSHU-së, vlera e subvencionit për periudhën 9 shkurt–30 qershor 2022 ka tejkaluar shumën prej 32.8 milionë eurosh. Vetëm mungesa e mosdisbursimit të subvencionit tejkalon pragun e materialitetit prej 5 për qind, ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të hyrat e FSHU-së”, është bërë e ditur në njoftim.

Nga ZRRE-ja është njoftuar se në propozimin përfundimtar për tarifa ishte marrë për bazë zotimi i Qeverisë për ndarjen e 100 milionë eurove për subvencionim të tarifave, dhe se si rezultat i kësaj tarifat për konsumatorët afaristë dhe ata që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji mbetet e pandryshuar.

Çmimi i energjisë për konsumatorët që shpenzojnë rrymë deri në 800 kWh, tarifa e ulët është 3 centë, ndërsa ajo e larta 7 centë, përderisa tarifa e lartë për ata që konsumojnë mbi 800 kWh është 12 centë e larta e 6 centë e ulëta.

Tarifat kishin mbetur të këtilla, pas zotimit nga Qeverisë për subvencionim. Por në kërkesën e KESCO-s thuhet se rimbursimi nga Qeveria nuk është pranuar dhe se nuk është ofruar as ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat.

“Situata e krijuar gjatë kësaj periudhe ka detyruar FSHU-në që të operoj nën-kosto, duke e bërë shumë të vështirë e deri diku të pamundur kryerjen obligimeve edhe ndaj palëve të treta. Vlera e subvencionit e kalkuluar për konsumatorë, sipas çmimeve të dërguara nga ZRRE-ja, për periudhën 9 shkurt-30 qershor 2022 ka tejkaluarën vlerën prej 32.8 milionë eurove. Mungesa e rimbursimit të kësaj vlere të kalkuluar të subvencionit e tejkalon pragun e materialitetit prej 5 për qind, ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së, duke e mundësuar hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm”, është precizuar në kërkesën e KESCO-s.

KOHA ka kërkuar ditë më parë një përgjigje nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave rreth arsyes së mosekzekutimit të subvencionimit sipas zotimit nga Qeveria, porse nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra ministri.

Përfaqësues nga ZRRE-ja ditë më parë kanë shprehur shqetësimin se mosalokimi i subvencionit të Qeverisë për energjinë elektrike është duke e rrezikuar Marrëveshjen e Kyçës me ENTSO-E si dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ky shqetësim nga ZRRE-ja është shprehur pas takimeve të ndara që përfaqësues të saj kanë zhvilluar me ata të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), të KESCO-s dhe të KOST-it gjatë së enjtes.

“Ndër të tjera, u theksua edhe rëndësia e mbylljes së obligimeve financiare të operatorëve të licencuar ndaj njëri – tjetrit, si dhe ndikimi që këto vonesa po e shkaktojnë sektor. Sipas informacioneve të marra nga të licencuarit në fjalë, mosalokimi i subvencionit të Qeverisë për energjinë elektrike, është duke e rrezikuar Marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Të pranishmit u zotuan të bashkëpunojnë edhe më tej me njëra-tjetrën, si dhe me institucionet e tjera publike në vend, në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria e furnizimit me energji elektrike”, është thënë në njoftimin e ZRRE-së pas takimeve.