Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë të premten titullin “Ambasadore Nderi” këngëtares botërore Dua Lipa, në ceremoninë ku morën pjesë edhe burri dhe dy vajzat e presidentes.
Dua Lipa përformoi të enjten në “Sunny Hill”, në natën hapëse të këtij Festivali që po mbahet në Parkun e Gërmisë. Do të zgjasë katër ditë.
“Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falenderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë”, ka njoftuar Osmani në Facebook.
Përveç familjes së Osmanit, në ceremoni të pranishëm ishin edhe dy prindërit e Duas.

Presidentja e Kosovës falënderoi familjen Lipa për kontributin e madh që po japin për imazhin e Kosovës në botë.
“Falënderoj familjen Lipa për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherë është edhe moto e edicionit të sivjetëm të festivalit Sunny Hill”, shkroi tutje ajo.