Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, e ka cilësuar maturi vendimin e Qeverisë që të shtyhet fuqizimi i vendimit për reciprocitet të letërnjoftimeve.
I ftuar të hënën në emisionin 60 Minuta në KTV, Vrajolli ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të matura dhe mos të bien në provokime, pasi problemet në pjesën veriore të vendit janë të akumuluara për dekada.
“Mendoj se kjo që ka ndodhë është e pritshme, por duhet të ketë një menaxhim të duhur të situatës, të mos biem në provokime, por që të kemi parasysh të gjitha nuancat e problemit, në pjesën veriore për dekada ka probleme të akumuluara. Një pjesë e qytetarëve është manipuluar, një pjesë tjetër është e detyruar që të sillen në forma të tilla pasi për një kohë të gjatë institucionet e Kosovës nuk kanë arritur t’i pengojnë këto mekanizma që i kanë mbajtur qytetarët serbë atje të paintegruar. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të matura, vetë fakti që është shtyrë për 30 ditë kjo marrëveshje tregon një maturi”, ka thënë ai.
Sipas Vrajollit, bashkësia ndërkombëtare ka pasqyrë të qartë të asaj se çfarë po ndodhë në veri, pasi janë vetë prezentë atje.
“Bashkësia ndërkombëtare ka një pasqyrë të qartë se çfarë po ndodhë në veri, pasi janë prezentë atje, KFORI, EULEX-i janë atje, andaj ne nuk duhet të brengosemi shumë për atë se çfarë thotë Serbia. Roli i Serbisë për të destabilizuar Kosovën vlen edhe te balancimi i pozicionit që Serbia mban midis Lindjes dhe Perëndimit. Serbia nuk është e interesuar të shohë se proceset e integrimit të serbëve ecin lehtë. Interesi i Serbisë dhe i Rusisë është që të ketë lëvizje të tilla destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai.
Vrajolli e ka parë pozitivisht qëndrimin e ndërkombëtarëve karshi Kosovës, duke thënë se së fundmi nuk po kundërshtohen veprimet e ligjshme të institucioneve të vendit, e që më parë sipas tij, ka ndodhur.
Ai më tej ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ndodhë, por në kuadër të sugjerimeve që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
“Varet prej hapësirës juridike sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. vendimi i Kushtetueses është obligativ dhe Asociacioni duhet të ndodhë në kuadër të sugjerimeve që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe jo t’i kalojë konkludimet e Kushtetueses”, ka thënë ai.