4 perditesime
21:09

Policia e Kosovës njofton se është sulmuar në veri, raportohet për lëndime e maltretime të shqiptarëve

Policia e Kosovë ka njoftuar se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në disa lokalcione në veri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore.

Por, nga Policia është thënë se nuk ka të plagosur.

Po ashtu ka kon firmuar se nga qytetarët ka marrë informata për raste ku janë ndaluar e maltretuar nga grupet serbe, ndërsa u janë shkaktuar lëndime dhe po ashtu u janë dëmtuar veturat.

“Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur. Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet nga Policia e Kosovës.

20:39

Policia e Kosovës mohon se ka ndonjë të plagosur, mbesin të mbyllura pikat në Jarinjë e Bërnjak

Policia e Kosovës ka mohuar se ka ndonjë qytetarë apo zyrtarë policorë të plagosur në veri.

Policia ka bërë thirrje që të mos bihet pre e lajmeve të rrejshme.

Ndërkohë ka njoftuar se po vazhdojnë bllokimet në disa rrugë të ndryshme në veri të Mitrovicës në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Si pasojë këto pika kufitare janë mbyllur.

“Referuar informacioneve zyrtare të deritanishme, vazhdojnë bllokimet e rrugëve në disa lokacione të ndryshme në Veri të Mitrovicës në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bernjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim. Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policorë, andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut. Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”, thuhet nga Policia e Kosovës.

19:39

Mbyllen vendkalimet në Bërnjak e Jarinjë

Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtarë dhe automjete në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, për shkak të bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokalë në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.

Serbët kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj masave të reciprocitetit të autoriteteve kosovare për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

18:42

Serbët nisin të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është vendosur një bllokadë, në Rudarë të Zveçanit, është vendosur një bllokadë në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

Hoti po ashtu tha se bllokadë është vendosur edhe në fshatin Zupqë, që gjendet në afërsi të magjistrales Bërnjak-Mitrovicë.

Ndërkaq, sipas informatave nga terreni, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë, po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi./REL

18:21

Dëgjohen sirena në veri të Mitrovicës, forca të shtuara të Njësisë Speciale shihen tek ura e Ibrit

Forca të shtuara të Njësisë speciale të Kosovës kanë arritur tek ura e lumit Ibër, përfshirë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe karabinierët italianë, raporton “Kosovapress”.

Në veri të Mitrovicës janë dëgjuar sirena. Sirenat kanë filluar të dëgjohen rreth orës 16:00.

“Kossev” ka publikuar një video ku dëgjohen sirenat.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti, ka thënë për “Kossev” se ka ardhur deri te bllokimi i një rruge në Zubin Potok dhe po ashtu në Zveçan.

“Kishte bllokim të rrugës në Zubin Potok tek Varaga dhe afër Rudares. Pretendohet se është përhapur një lajm i rrejshëm se komuna do të bllokohet nga njësitet speciale, që absolutisht nuk është e vërtetë dhe se nuk ka asnjë qëllim të tillë”, ka thënë Hoti.

KFOR-i ka thënë për “Kossev” se është duke e monitoruar situatën.