Arbëri

“Të vrarë e të masakruar nga Serbia, të izoluar nga Evropa”

Nëpërmjet një aktiviteti simbolik të quajtur “Burg”, Organizata “Lëvizja për Demokraci” ka shprehur pakënaqësinë ndaj mungesës së vendimmarrjes së BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Të vrarë e të masakruar nga Serbia, të izoluar nga Evropa”, është njëri nga mbishkrimet që ka zënë vend në aksionin simbolik për të shprehur pakënaqësitë për mosliberalizimin e vizave për Kosovën

Pankarta me mesazhe që i adresohen Brukselit shkaku që Kosovës ende nuk ia ka liberalizuar vizat, janë vënë prapa grilave që simbolizonin izolimin e kosovarëve dhe janë vendosur të premten për disa minuta para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Organizata “Lëvizja për Demokraci”, nëpërmjet këtij aktiviteti simbolik të quajtur “Burg”, ka shprehur pakënaqësinë ndaj mungesës së vendimmarrjes së BE-së.

“Të vrarë e të masakruar nga Serbia, të izoluar nga Evropa”, është njëri nga mbishkrimet që ka zënë vend në aksionin simbolik për të shprehur pakënaqësitë për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Mexhid Ramusa, një nga organizatorët, ka treguar qëllimin e protestës.

“Me këtë aktivitet simbolik duam t’i tregojmë Bashkimit Evropian se si po na mban të izoluar padrejtësisht. Ne si popull nuk kemi asnjë faj që të mbetemi të izoluar në kësi lloj burgu”, ka thënë Ramusa. “Ne jemi edhe të vrarë e të masakruar, por edhe të izoluar”.

Protesta do të shprehet edhe në kryeqendrën e BE-së.

“Ne këtë aktivitet, këtë ‘burg’ siç po e quajmë, do ta dërgojmë edhe para Zyrës së Bashkimit Evropian në Bruksel”, ka paralajmëruar ai.

Organizatori i këtij aktiviteti ka thënë se BE-ja nuk ka arsye ta mbajë Kosovën të izoluar, pasi janë plotësuar të gjitha kriteret që qytetarët kosovarë të lëvizin pa viza.

“Pse BE-ja na mban të izoluar? Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Nëse Bashkimi Evropian i promovon vlerat e demokracisë, atëherë pse neve po na mban të izoluar, a nuk quhet ky racizëm?”, ka thënë Ramusa.

Edhe të premten e kaluar, në sheshet e kryeqytetit është mbajtur një marsh kundër mosliberalizimit të vizave për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në Samitin e Bashkimit Evropian që është mbajtur javën e shkuar se ka pasur mbështetje nga shtetet për liberalizimin e vizave. Megjithatë, pas mbledhjes ajo ka theksuar se tash kërkohen hapa konkretë për këtë çështje.

“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën, për perspektivën evropiane të saj, për liberalizimin e vizave, e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë. Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”, ka thënë ajo. “Mendoj se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete e të votohet në nivel të këshillit të ministrave për liberalizim. Kanë qenë deklarata më pozitive që kemi dëgjuar deri më tash për liberalizim, përfshirë edhe nga shtetet që kanë qenë hezituese”.

Pas samitit, komisionari për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se Komisioni është i gatshëm që bashkë me vendet anëtare, të përpilojë një udhërrëfyes shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike të disa prej vendeve anëtare.

Por, gjatë javës Komisioni Evropian ka sqaruar se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.