LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Pezullimi i vizave e nënkupton vdekjen e dialogut Kosovë-Serbi

“Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, besoj që do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në atë mënyrë”, ka theksuar Osmani, duke iu referuar paralajmërimit të Macronit se Parisi zyrtar do të mund t’i rishikojë zotimet e bëra në rrafshin e ekonomisë si dhe politikën e vizave për Kosovën dhe Serbinë, po qe se palët “nuk sillen me përgjegjësi”

Pezullimi i vendimit për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do ta vriste dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë të mërkurën presidentja Vjosa Osmani, në një kundërpërgjigje ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Reagimi i Osmanit e pasoi deklaratën e së hënës të Macronit, i cili gjatë një adresimi para ambasadorëve të Francës, paralajmëroi se Parisi zyrtar do të mund t’i rishikojë zotimet e bëra në rrafshin e ekonomisë si dhe politikën e vizave për Kosovën dhe Serbinë, po qe se palët “nuk sillen me përgjegjësi”.

Sipas Osmanit, ky paralajmërim për masa ndëshkuese është i padrejtë teksa theksoi se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave.

“Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, besoj që do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në atë mënyrë”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova është duke i respektuar obligimet e paraqitura në Marrëveshjen e Bratislavës dhe ka shtuar se më 1 shtator do të jetë i gatshëm edhe udhëzimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komuna veriore, të banuara kryesisht me serbë.

“Dakordimi i Kosovës me Bashkimin Evropian ka qenë që obligimet që dalin nga marrëveshja e Bratislavës do të jetë e mjaftueshme që të hiqen masat. Kjo e nënkupton krijimin e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të hershme, bazë ligjore që do të jetë gati pasnesër, më 1 shtator”, ka thënë ajo.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) janë pajtuar për disa hapa në funksion të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore në dhe përreth objekteve komunale si dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Kërkesat i janë shtruar Kosovës pas trazirave që e pasuan vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan. Policia e Kosovës njoftoi më 4 gusht për zvogëlimin prej 25 për qind të pranisë së pjesëtarëve të saj në dhe përreth objekteve komunale në veri.

E nga BE-ja të mërkurën është përsëritur thirrja drejtuar Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e hapave të kërkuar në funksion të krijimit të kushteve për vazhdimin e dialogut. Por palëve nuk u janë përmendur afate kohore se kur mund të pritet mbajtja e takimit të radhës së nivelit të lartë në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë gjatë një konference shtypi në Bruksel se puna për dialogun Kosovë-Serbi po vazhdon.

“Puna në dialog po vazhdon. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht gjatë javëve të fundit se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së që palët t’i ndërmarrin hapat e definuar shumë qartë për deeskalim dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut”, ka theksuar ai.

Në funksion të përgatitjes për vazhdimin e dialogut, emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, po i vazhdon takimet me përfaqësuesit në Kosovë e Serbi. Ai e ka përmendur muajin shtator si afat për takimin e radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por ai nuk e ka dhënë një datë të saktë.

Për datën e takimit nuk ka komentuar të mërkurën as Stano, por ka theksuar se ajo do të shpallet “kur të jetë e përshtatshme”.

Ai ka përsëritur ndërkaq edhe thirrjet për zbatimin e shpejtë dhe pa vonesa të marrëveshjeve të dala nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.

“Ne, po ashtu, kemi thënë shumë qartë se është e domosdoshme që dialogu i lehtësuar nga përfaqësuesi i lartë dhe implementimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe aneksit për implementim, të bëhen pa ndonjë vonesë të re”, ka theksuar Stano.

Kurti e Vuçiq për herë të fundit janë takuar në Bruksel më 22 qershor. Në BE kanë pohuar se synimi është që situata në veriun e Kosovës të normalizohet dhe që palët të evitojnë çdo veprim që do të shkaktonte tensione të reja, duke ndikuar negativisht në gjithë procesin e dialogut.