Arbëri

QKRMT rikujton implikimet e Traktatit të nënshkruar mes Kosovës e Danimarkës për të burgosurit

Descriptive Text

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka thënë se është shumë e rëndësishme respektimi i të drejtave të njeriut, ndërsa ka përmendur rastin e marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën që pritet të ratifikohet, ku një numër i të burgosurve nga Danimarka do ta vuajë dënimin në Kosovë.

QKRMT ka rikujtuar implikimet që ka Traktati i nënshkruar mes dy vendeve.

“Duke marrë parasysh mandatin e QKRMT-së në monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, ne u bëjmë thirrje edhe njëherë Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës dhe Danimarkës që Traktati i nënshkruar në mes të dy shteteve për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë ka implikime të drejtpërdrejta në: standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që dalin nga Konventa Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, të cilat janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin përkatës në fuqi, aplikimin e standardeve të dyfishta për të burgosurit vendorë në raport me të burgosurit e transferuar nga Danimarka në Kosovë, ekspozimin e të burgosurve që do të transferohen karshi rrezikut të keqtrajtimit, kontaktin e të burgosurve me botën e jashtme, gjegjësisht familjen dhe shoqërinë. Aspektet shëndetësore dhe ankesat apo veprimet ligjore të të burgosurve, krijimin e një precedenti të ri”, thuhet në komunikatën e QKRMT të lëshuar në Ditën Ndërkombëtare në Mbështetjen e Viktimave të Torturës.

QKRMT kanë kërkuar që t’u mundësohet organizatave joqeveritare të shtetit pritës, që të monitorojnë të drejtat e njeriut në institucionet e mbyllura, pra qasje të plotë edhe në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka.

“Kujtojmë që, sipas Traktatit të nënshkruar kjo e drejtë e mbikëqyrjes u njihet: Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Ombudspersonit Parlamentar të Danimarkës, avokatëve dhe organizatave nga shteti dërgues (Danimarka) që ofrojnë shërbime ligjore për të burgosurit, ndërsa Ombudspersoni i shtetit pranues (Kosova) mund të kryejë inspektime vetëm në lidhje me rregullat dhe rregulloret e shtetit pranues. Megjithëkëtë, QKRMT do të vazhdojë ta zbatojë me përpikëri misionin e saj dhe të mbrojë, avancojë dhe promovojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për të gjithë të mbijetuarit e torturës dhe formave të tjera të dhunës”, thuhet në komunikatë.

Me marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës e Danimarkës, shteti skandinav ka marrë në Kosovë me qira 300 qeli në burgun e Gjilanit. Do të vuajnë dënimin të burgosurit nga Danimarka që janë të dënuar me dëbim. Ka pasur ankesa nga organizatat e të drejtat e njeriut në Danimarkë. 

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ku më 26 Qershor, 1987 hyri fuqi Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, si një nga instrumentet kryesore në luftën kundër torturës dhe parandalimin e saj.