Është nënshkruar Traktati mes Kosovës dhe Danimarkës, me të cilën të burgosurit në Danimarkë do të transferohen për ta vuajtur dënimin në Kosovë.
Kosova dhe Danimarka kishin arritur një marrëveshje, me të cilën Danimarka dërgon 300 të burgosur për ta vuajtur dënimin në Kosovë. Ndërkohë vlera e marrëveshjes është 210 milionë euro. Marrëveshja është e vlefshme për dhjetë vjet.
Ministria e Drejtësisë të martën në një postim në Facebook ka njoftuar për nënshkrimin e Traktatit mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe homologut të saj danez Nick Haekkerup.
“Nënshkruhet Traktati për transferimin e të dënuarve nga Mbretëria e Danimarkës në Republikën e Kosovës me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe homologu i saj, nga Qeveria e Mbretërisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, sot nënshkruan Traktatin i cili i hapë rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, sikurse edhe përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër si dhe promovimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut ndërmjet dy vendeve”, thuhet në postimin e Ministrisë.
Nënshkrimi i Traktatit vjen pas nënshkrimit të letër-qëllimeve ndërmjet ministrave të drejtësisë dhe ekonomisë së të dy vendeve më datën 21 dhjetor 2021.