1 perditesime
15:46

Kosova e Danimarka nënshkruajnë marrëveshje për shfrytëzimin e institucionit korrektues

Leonita Bajrami

Është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për dhënien në shfrytëzim të një institucioni korrektues.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ka rënë dakord t’i ofrojë Danimarkës kapacitete korrektuese për 300 të dënuar në Gjilan.

Periudha e qëndrimit të të dënuarve është deri në 10 vjet, ka njoftuar Haxhiu. Haxhiu ka njoftuar se marrëveshja do të ratifikohet në Kuvend.

Edhe nga Mbretëria e Danimarkës është thënë që nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të dyja palët.

“E kemi kontaktuar Kosovën para një viti, po zhvillojmë një dialog nga viti i kaluar, por pozitivisht po vazhdon me Qeverinë aktuale. Po mbes me shpresë për zgjidhjen e një mase të madhe të problemeve me burgjet në Danimarkë. Kjo do t’i ndihmojë Kosovës t’i zhvillojë kapacitetet në sistemin e ligjit”, deklaroi Flemming Moller Morteensen, ministër i Bashkëpunimit zhvillimor në Danimarkë.


Kosova nënshkruan marrëveshje me Danimarkën edhe për energji

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova ka nënshkruar një letër me Danimarkën me fokus energjinë, duke shtuar se sektori i energjisë dhe kriza ka treguar brishtësinë në këtë sektor.

“Siç e kemi thënë kohët e fundit në strategjinë tone difersifikimi i burimeve të energjisë dhe rritjen e burimeve të energjisë së ripërtëritshme. Për ne si shtet ky tranzicion do të jetë sfidues dhe në anën tjetër e kemi Danimarkën si lidere për hulumtim dhe zhvillim në këtë fushë andaj konsideroj se të kemi shtetin e Danimarkës ta kemi përkrahje”, ka thënë Rizvanolli.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup, deklaroi se ky proces është bashkëpunim mes dy vendeve.

“Ne po e shikojmë këtë si bashkëpunim mes Danimarkës dhe Kosovës. Duhet të bëhet zhvillimi në energjinë e gjelbër, është një marrëveshje që do ta zgjidh problemin e Danimarkës me burgjet e ngarkuara. ka një perspektivë më të gjerë.”

09:41

Sot nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të 300 qelive

Sot do të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të 300 qelive të burgut.

Danimarka do të marrë me qira 300 qeli, ndërsa pritet që ato të jenë në burgun e Gjilanit. Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro.

“MD-ja njofton se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar. Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme”, ishte njoftuar të enjten nga Ministria e Drejtësisë.

E për sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë paralajmëruar konferencë për media në orën 15:00, pas nënshkrimit të një letër-qëllimi me homologët nga Danimarka, si dhe një deklarate të përbashkët si zotim i dy qeverive.

Ceremonia e nënshkrimit dhe konferenca do të mbahen në Zyrën e Kryeministrit.