Arbëri

Sot nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të 300 qelive

Sot do të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të 300 qelive të burgut.

Danimarka do të marrë me qira 300 qeli, ndërsa pritet që ato të jenë në burgun e Gjilanit. Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro.

“MD-ja njofton se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar. Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme”, ishte njoftuar të enjten nga Ministria e Drejtësisë.

E për sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë paralajmëruar konferencë për media në orën 15:00, pas nënshkrimit të një letër-qëllimi me homologët nga Danimarka, si dhe një deklarate të përbashkët si zotim i dy qeverive.

Ceremonia e nënshkrimit dhe konferenca do të mbahen në Zyrën e Kryeministrit.