Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) synon ta bëjë drejtoreshë të Përgjithshme të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), zyrtaren Lule Isufi, të cilën ministri Xhelal Sveçla e ka caktuar 4 herë ushtruese të detyrës së kësaj pozite, me procedura të kundërligjshme.
Pjesëmarrësja në tubime elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, që kapërceu tri pozita për tri ditë, në konkursin e fundit u zgjodh kandidatja më e mirë për drejtoreshë të IKAP-it.
Në maj të 2023-tës Isufi u transferua përkohësisht nga Ministria e Financave (MF) në Institutin e Administratës.
Burime të KOHËS thanë se kërkesa u bë me urdhër të kabinetit të Sveçlës dhe transferimi u bë, ndonëse pozita e re kishte koeficient më të ulët.
Dokumentet e siguruara nga KOHA tregojnë se ajo nuk qëndroi gjatë në pozitën ku u transferua. Të premten u caktua udhëheqëse divizioni, pozitë që nuk ishte funksionale në Institut. Po atë ditë u avancua drejtoreshë departamenti. E të hënën, Sveçla e bëri zëvendësuese të drejtoreshës së përgjithshme të IKAP-it.
Në nëntor të 2023-tës, kur i përfundoi mandati si zëvendësuese, në të njëjtën ditë, Sveçla e caktoi edhe për 6 muaj të tjerë ushtruese detyre të drejtoreshës.
Veproi kësisoj, ndonëse Ligji për Zyrtarët Publikë kërkon se ushtrues detyre mund të caktohet zyrtari më i lartë i kategorisë pasuese, ndërsa Isufi ishte udhëheqëse e divizionit.
Në maj të 2024-tës i përfundoi mandati i dytë si ushtruese detyre, duke e lënë pa pozitë.
Qëndroi në IKAP për 19 ditë pa vendim të vlefshëm për ta ushtruar detyrën e drejtoreshës, por të dhënat në deklarimin e pasurisë tregojnë se ajo pagën e mori.
Pasi Isufi mbeti pa pozitë, sekretarët e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe asaj të Brendshme lidhën një marrëveshje për një transferim tjetër të saj në Institut, për ta vendosur sërish në udhëheqëse divizioni.
Vendimi i sekretarëve ishte në kundërshtim me ligjin, meqë për agjencitë autonome ekzekutive si IKAP-i, zyrtari kryesor administrativ vendos për agjencinë.
Tri ditë pas transferimit të ri në Institut, Sveçla sërish e caktoi ushtruese detyre të drejtorit, prapë duke shkelur nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Në nëntor të vitit të kaluar i përfundoi edhe ky mandat i tretë.
E, dy ditë pas, ajo e njoftoi institucionin me email se hyn në pushim vjetor pa treguar për sa kohë.
Kësisoj deri në fund të vitit të kaluar, për 37 ditë të tjera, Isufi ushtroi detyrën pa vendim të vlefshëm dhe prapë e mori pagën e drejtorit.
Në janarin e sivjetmë, Lule Isufi, u kthye në Ministri të Financave, në pozitën që e ka pasur në fillim. Por, pak ditë më vonë, u transferua në formë të përhershme në Ministrinë e Brendshme, si udhëheqëse divizioni.
E më 23 janar, sekretarja e Përgjithshme Fahrije Tërnava, e caktoi ushtruese të detyrës së drejtoreshës së departamentit në IKAP, sërish duke tejkaluar kompetencat si sekretare.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se u bë drejtoreshë, me qëllim të funksionalizimit të pozitës.
Por, një ditë pas, ministri Sveçla e cakton ushtruese detyre të drejtorit, për të katërtën herë.
Isufit i përfundon mandati më 24 korrik.
Konkursi për drejtor në të cilin ajo u zgjodh më e mira është ankimuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Financave dhe Lule Isufi nuk janë përgjigjur nga e marta në mbrëmje në asnjë nga pyetjet që ua ka dërguar KOHA.
Nga 2021-ta kanë dështuar 4 konkurset e kaluara për drejtor të IKAP-it.